Mogherini flet, Basha s’tërhiqet. Kreu i PD: Duam qeveri teknike

03/03/2017 00:00

“Një qeveri teknike që do të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ky është vendimi juaj, ky është vendimi i qytetarëve shqiptarë. Ky është edhe vendimi i opozitës së bashkuar, i komunikuar qartë sot. Nuk ka tërheqje, nuk ka dorëzim, nuk ka pazar. ‘Establishmenti’ i korruptuar i republikës së vjetër, i bërë njësh me krimin ta harrojë se ky shesh i lirisë do të zbrazet pa arritur qëllimin e deklaruar më 18 shkurt”.

Kjo deklaratë e kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha erdhi nga çadra e protestës mbrëmjen e së premtes, ndërsa pak më herët kreu i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi shprehu gatishmërinë për të diskutuar në tryezën e dialogut të katër pikat që kishte ngritur opozita më herët pas ftesës së mazhorancës.

“Kjo shumicë ka qenë dhe mbetet e gatshme për dialog me opozitën. Ka shumë për të folur dhe për katër pikat e propozuara të sapo shtruara nga opozita. Ne jemi të gatshëm të ulemi në Kuvend, në Komisione apo ku të dëshirojë Partia Demokratike”, tha Ruçi.

Gjatë paradites, Rama dhe Meta shprehën gatishmërinë që të dialogojnë me opozitën për domosdoshmërinë e dialogut për avancimin e dy reformave kryesore, zbatimin e reformës në drejtësi, duke nisur me vettingun dhe reformën elektorale për të patur një proces zgjedhor me besueshmëri të lartë dhe transparencë të plotë. Koalicioni qeveritar është i gatshëm të mirëpres çdo propozim konkret dhe realist të opozitës për procesin zgjedhor, thanë atë. Për të treguar se kanë vullnet në zgjidhjen e këtyre çështjeve, Rama dhe Meta janë të gatshëm që të takohen me opozitën edhe jashtë Parlamentit ose siç thuhet në deklaratë, janë të gatshëm në Kuvend apo në çdo tryezë dialogu që është e dëshirueshme për opozitën.

Pothuajse menjëherë, Lulzim Basha mblodhi koalicionin parlamentar. Në deklaratën e tij vihej re një terminologji ndryshe nga ajo e përdorur këto dy javë te çadra e protestës.

Termi “qeveri teknike” u zëvendësua me atë të një qeverie me mbështetje të gjërë politike. Koalicioni opozitar duke theksuar kërcënimin e zgjedhje nga krimi dhe droga, shprehu gatishmërinë për një tryezë dialogu të vërtetë dhe jo fasadë. Sipas opozitës, kjo tryezë duhet të ketë qëllim krijimin e kushteve për zgjedhje të lira dhe të ndershme përmes një qeveria me mbështetje të gjerë politike që do të garantojë 4 pika kyçe. 1 – Zbatimin e ligjit të dekriminalizimit. 2- Luftën kundër narkotrafikut. 3- Përgatitjen e zgjedhjeve të lira. 4- Zbatimi i reformës në drejtësi, sipas përcaktimeve kushtetuese.

Top Channel