Konsullata “online”, Bushati vlerëson Dritan Hoxhën në Athinë

03/03/2017 00:00

Në Athinë, ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, në një takim me emigrantët shqiptarë prezantoi shërbimin “Konsullata online”. Ai deklaroi se, së shpejti, edhe Greqia do ta heqë pullën apostile mes dy vendeve.

“Mendoj se dy janë elementët më të rëndësishëm. I pari është shmangia e kontaktit fizik dhe shmangia e humbjes së kohës dhe shpenzimeve të mëdha financiare, sepse nuk janë thjesht tarifat që aplikon shteti shqiptar, por edhe njerëzit që lënë ditën e punës apo që u duhet të udhëtojnë për t’u paraqitur pranë konsullatave tona. Së dyti është raporti i brendshëm që ka të bëjë thjesht me integritetin e sistemit”, tha ministri Bushati.

Sa i përket kërkesës së emigrantëve për mësimin e gjuhës shqipe në Greqi për fëmijët e tyre, Bushati pranoi se qeveria nuk ka bërë sa duhet. Ai kujtoi pengesat që janë hasur nga politika greke në kufi, duke përmendur ndalimet e fundit të librave shqip.

Por Bushati deklaroi se një rol të rëndësishëm, që fëmijët e emigrantëve në Greqi të mësojnë shqip, ka luajtur presidenti i ndjerë i “Top Media”, Dritan Hoxha.

“Pika tjetër që mendoj se është jashtëzakonisht e rëndësishme dhe që u përmend këtu, ka lidhje me edukimin. Këtu miq, ne jemi deficitarë dhe unë e pranoj këtë. Në këtë pikë, më shumë ka bërë Dritan Hoxha dhe Digitalbi, sesa kanë bërë qeveritë. Për sa i përket promovimit të gjuhës dhe të identitetit tonë”, deklaroi ministri Bushati.

Top Channel