Distancohen dy gjyqtaret: Kallëzim penal për avokatin Nikolin Vata

03/03/2017 00:00

Pas skandalit të publikuar një natë më parë në “Fiks Fare” kanë reaguar dy gjyqtaret e përmendura nga avokati Nikolin Vata. Rezarta Mataj dhe Blerina Muça kanë deklaruar se nuk kanë asnjë lidhje me versionin e treguar nga avokati.

Madje, Rezarta Mataj ka depozituar sot një kallëzim penal ndaj avokatit të denoncuar dhe ka kërkuar një kërkesë pranë Dhomës së Avokatisë për heqjen e licencës së tij.

Në reagimin e saj për “Fiks Fare”, ajo tha se “Rexhep Toska ka pasur vetëm një seancë gjyqësore më datë 13 gusht 2016 me mua si gjyqtare dhe i është rrëzuar padia si e pambështetur në ligj dhe në prova”.

Për këtë arsye, sot ajo ka kallëzuar penalisht avokatin Nikolin Vata për shpifje, si dhe ka bërë kërkesë te Dhoma Kombëtare e Avokatisë për “marrje të masës disiplinore, minimalisht atë të pezullimit të lejes së ushtrimit të avokatit Nikolin Vata për një periudhë dyvjeçare, si dhe të urdhërohet për të kërkuar ndjesë karshi personit të saj”.

Gjithashtu, ajo ka depozituar edhe një kërkesëpadi në Gjykatën e Tiranës për dëmshpërblim.

Edhe gjyqtarja Blerina Muça ka reaguar menjëherë pas transmetimit të avokatit, duke sqaruar se “Nuk kam asnjë lidhje me versionin e treguar nga avokati i palës paditëse. Kjo çështje nuk është marrë fare në shqyrtim, sepse është vendosur kthimi i kërkesëpadisë, si padi me të meta. Vendimi për mosshqyrtim është tërësisht në përputhje me ligjin dhe aktet përkatëse janë në dispozicion të të gjithë të interesuarve për të bërë transparencën e nevojshme. Sa më sipër, distancohem nga çdo shpifje që ka për qëllim të bindë opinionin publik se, të gjithë gjyqtarët e këtij vendi janë njëlloj të inkriminuar”, tha Muça në reagimin e saj.

Top Channel