Basha takon Mogherinin: Pa qeveri teknike s’ka kthim në Kuvend

03/03/2017 00:00

Ndryshe nga sa ishte paralajmëruar, shefja e Politikës së Jashtme të BE, Federica Mogherini është takuar edhe me kryetarin e PD, Lulzim Basha.

Pavarësisht apeleve të mëhershme të Përfaqësueses së Lartë, në përfundim të takimit Basha ka deklaruar për mediat se opozita nuk tërhiqet nga qëndrimi i saj për qeveri teknike.

“Një qeverie të vullnetit të mirë që do të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme, duke zbatuar deri në fund ligjin për dekriminalizimin, duke ndërmarrë një aksion energjik dhe efektiv kundër narkokultivimit, narkotrafikimit dhe parave të pista të drogës, që sipas tashmë gjithë mediave botërore kërcënojnë zgjedhjet në Shqipëri”, ka deklaruar Basha.

Sipas tij, kjo është mënyra e vetme se si mund të gjejë zbatim edhe reforma në drejtësi. “Pa dyshim, duke i hapur kështu rrugë edhe zbatimit të reformës në drejtësi, sipas përcaktimeve kushtetuese të 22 korrikut, për të cilën Partia Demokratike dhe opozita kanë dhënë kontribut dhe janë krenare për këtë”, ka thënë Basha.

Më pas kryetari i opozitës i është përgjigjur edhe interesit të medias për takimin.

Pyetje: Zoti Basha, çfarë ju tha zonja Mogherini?

Basha: Zonja Mogherini do të shprehet vetë. Unë nuk jam këtu të bëj zëdhënësin e saj. Ftesa ime është që faktorët e përgjegjshëm politikë të bashkohen në një pakt kombëtar për të kryer këtë operacion përmes një qeverie teknike e cila do t’i japë vendit zgjedhje të lira dhe të ndershme. Kjo është në të njëjtën kohë edhe e vetmja rrugëdalje. Çdo rrugë tjetër e çon vendin në humnerë, në sundimin e krimit të organizuar për një kohë të gjatë, duke dëmtuar në palcë interesin kombëtar dhe jetët e të gjithë shqiptarëve në vendin tonë.

Pyetje: Zoti Basha, a do të shkoni të hënën në Parlament, në seancën për ngritjen e komisioneve të vettingut?

Basha: Nuk ka dhe nuk ka për të pasur Parlament tjetër përveç Sheshit të Lirisë, deri në arritjen e një pakti kombëtar për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Top Channel