Anëtarësimi i Serbisë në BE, Nikoliç: Shpresoj të mos na vihet kusht Kosova

03/03/2017 00:00

Presidenti në largim i Serbisë, Tomislav Nikoliç ka shfaqur këtë të premte shpresën se, në bisedimet për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Europian të mos ketë kushte shtesë, të cilat Serbia nuk mund t’i përmbushë, siç është njohja e Pavarësisë së Kosovës.

“Serbia po punon aktivisht në përmbushjen e kushteve që të bëhet anëtare e plotë dhe bisedon me Prishtinën për normalizimin e raporteve. Nuk e di nëse do të ketë kushte shtesë dhe shpresoj se nuk do të ketë kushte, të cilat nuk mund t’i përmbushim, e kjo është njohja e Kosovës”, ka thënë Nikoliç në takimin me shefen e diplomacisë europiane, Federica Mogherini.

Gjatë takimit me të, Nikoliç ka theksuar sipas medieve serbe edhe shqetësimin për situatën në Maqedoni dhe Bosnje-Hercegovinë, duke shtuar se BE-ja duhet të vazhdojë të mbështesë ruajtjen e paqes në rajon.

Nikoliç ka konstatuar se tensionet janë të dukshme në rajon, ato po rriten dhe se lidershipi në disa vende nuk është në gjendje për t’u përballur me sfidat me të cilat ballafaqohen. Ai ka konfirmuar angazhimin e Serbisë ndaj paqes dhe stabilitetit, si dhe integrimit europian, dhe shpreson se ritmi i hapjes së kapitujve të bisedimeve mes Serbisë dhe BE-së do të jetë i përshpejtuar.

Top Channel