Zharrëza zbret në Kuvend, replika Blushi-Gjiknuri; reagon Rama

02/03/2017 00:00

Debati për Zharrëzën është zhvendosur në Kuvend mes kreut të LIBRA-s Ben Blushi dhe ministrit të Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri.

Kreu i LIBRA-s Ben Blushi deklaroi se situata e Zharrëzës nuk është mbyllur. “Nuk besoj se Zharrëza u mbyll. Zharrëza do të përsëritet prapë para se të shkojmë në zgjedhje”, tha Blushi.

Ai prezantoi në Kuvend dy amendamentet e tij dhe të deputetes Mimoza Hafizi për zgjedhjet e ardhshme. E para për numërimin elektronik, dhe tjetra për transparencën e financave të partive në fushatë.

Nga ana tjetër, Gjiknuri ka akuzuar Blushin se dëshiron “të bëj pis mendjet e njerëzve”, teksa e quajti protestën e Zharrëzës të instrumentalizuar politikisht.

“Kur erdhe këtu (Blushit) në poezinë tënde të kishe gjetur një rresht të thoje një fjalë të mirë për këtë qeveri. Na dole delirant i fjalës së lirë apo interesave popullore të Zharrëzës duke bërë lidhje falso e duke nxjerrë në pah se ajo protestë e atyre pak njerëzve e instrumentalizuar politikisht nuk ishte asgjë tjetër veccse për t’i hedhur hije asaj që po bënte qeveria shqiptare mbi dy muaj. Disa të vërteta duhen thënë”, tha ministri Gjiknuri.

Ai sqaroi se situata degradoi pasi nuk ka pasur sizmiologë për të matur tronditjet e tokës në zonë dhe për këtë u blenë sizmografë për të monitoruar zonën.

Rama: Qeveria zgjidhi “Zharrëzën”

Duke marrë fjalën në seancën e sotme plenare, kryeministri Edi Rama është fokusuar në tematikat më të ndjeshme të aktualitetit shqiptar, që nga vettingu e deri tek protesta e banorëve të Zharrëzës.

Historia e Zharrëzës, sipas tij, tregoi edhe njëherë se njerëzit që kanë halle kanë vetëm një aleat në këtë vend, qeverinë.

“Sepse përtej retorikave dhe shfaqjeve, që janë qëllime të ulëta, problemin e trajtoi kjo qeveri. Kjo qeveri që ndaloi injektimet e ujit teknologjik që fundvitin e shkuar, sapo u shfaq problemi. Aty nuk ka që nga fundviti i shkuar injektime”, ka thënë Rama.

Ai ka theksuar se, ishte sërish kjo qeveri që ndërmori gjithë procesin e rivlerësimit të dëmeve dhe shumica dërrmuese e atyre që dolën në protestë ishin duke plotësuar formularët.

“Ndërkohë që disa tutorë politikë dhe aktivistë me demek, që vijnë nga skandali i korrupsionit dhe zullumeve në industrinë e naftës, morën peng atje 7 vetë dhe nuk i linin të iknin. Mua më thoshin fol me avokatin e tyre. Me kë avokat? Avokatin tutor që i mori zvarrë deri në Tiranë? Ishte një mizanskenë e ngritur mbi një hall të madh dhe me njerëz me plot të drejtë të dëshpëruar”, ka thënë Rama.

Nga ana tjetër, ka shtuar ai, nëse ka një qeveri që ka vënë nën kontroll sektorin e naftës është kjo qeveri.

“Ne kemi imponuar ndaj Bankers një seri detyrimesh, duke i vënë para përgjegjësisë për një sërë aspektesh. Nga viti 2014, buxheti i shtetit merr 40 milionë dollarë më shumë”, ka shtuar Rama.

Top Channel