Subvencionet të varfërve; Skema e re për fermerët

02/03/2017 00:00

Grantet për bujqësinë nuk do të shkojnë më për bizneset e mëdha si serat apo pikat e grumbullimit siç ka ndodhur deri tani, por paratë do u jepen fermerëve të vegjël.

Qeveria ka ndryshuar plotësisht skemën e subvencioneve në bujqësi duke i orientuar fondet tek më të varfrit, ndërsa fermerët e mëdhenj do të mbështeten vetëm me kredi të buta nga fondi i garancisë së BERZH.

Të parët që përfitojnë nga ndryshimet janë blegtorët e vegjël, të cilët marrin 1200 lekë për çdo dele ose dhi që kanë.

“Kemi menduar që të mbështesim edhe ata blegtorë që kanë numër të kufizuar krerëve dhe për këtë arsye e kemi ulur numrin nga 100 krerë në 50 krerë”, shprehet ministri Panariti.
Për fermerët që kanë më shumë se 10 krerë lopë qeveria do të paguajë 10 lekë për çdo litër qumësht që ata shesin me faturë dhe 5 mijë lekë për çdo kre.

“Duke e mbështetur atë që është më i fortë me kredi, kurse Grantin ta orientojmë kryesisht tek fermeri i varfër mendojmë se do të kemi 5 herë më shumë përfitues se vitin e kaluar”, tha ministri Panariti.

Për prodhuesit e perimeve, grantet zhvendosen nga serat e mëdha të teknologjisë së lartë tek ato më të thjeshtat, ku qeveria do të paguajë gjysmën e investimit.

“Do te futet për herë te parë në financim edhe sera tunel, të cilat kanë një sipërfaqe të konsiderueshme për t’u dhënë mundësi edhe atyre fermerëve që nuk kanë mjetet të mjaftueshme financiare të fillojnë një aktivitet, të investojnë në ndërtimin e serave të thjeshta”, shton Panariti.

Në total qeveria do të japë 16 milionë dollarë subvencione për vitin 2017.

Fillimisht inspektoret e AZHBR dhe Drejtorisë së Bujqësisë duhet të shkojnë pranë fermerëve për t’i ndihmuar ata të plotësojnë formularin për të aplikuar dikush për stallë, dikush për serë dhe kjo do të behet në mënyrë të asistuar.

Sipas Panaritit, prioritet për të marrë subvencione do të kenë edhe fermat bio, si dhe fermerët të cilët kanë vreshta ose ullishte.

Top Channel