Pas vendimi të Gjorgje Ivanov për të mos i dorëzuar kreut të LSDM-së Zoran Zaev mandatin për krijimin e qeverisë së re, lëvizja Besa i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të ndihmojë Maqedoninë.

“Ky është një moment shumë i trazuar për vendin”, thuhet në deklaratën e saj, ku më tej i drejtohet një apel direkt Bashkimit Europian dhe NATO-s për të ndihmuar në rivendosjen e sundimit të ligjit dhe rikthimin në rrugën euro-atlantike.

Besa kërkoi frenim dhe kujdes në këto kohë të vështira për Maqedoninë. Ali Ahmeti reagoi dhe ai duke sqaruar se deklarata e partive shqiptare nuk e cënon në asnjë mënyrë apo formë shtetin, apo unitetin e vendit e nuk profetizon federalizmin apo ndarjen.

Kreu i BDI-së i ftoi partitë politike maqedonase të përmbahen në shprehjen e pakënaqësisë së tyre nga implikimi i elementit ndëretnik, për arsye të ndjeshmërisë në shoqëri, ndërsa qytetarëve iu drejtua me kërkesën që të ruajnë gjakftohtësinë dhe të mos bien pre e skenarëve keqdashëse.

Presidenti Ivanov ia bëri të qartë një ditë më parë Zaevit se nuk do t’ia lejojë formimin e ekzekutivit të ri nëse këmbëngul në zbatimin e platformës së Tiranës. Përgjigja e liderit opozitar ishte akuza se Ivanov po bën një grusht shteti dhe po e zhyt vendin në krizë.

Që ky vendim bie ndesh me interesat e vendit, këtë e mendon edhe raportuesi per Maqedoninë në Parlamentin Europian, Ivo Vajgl.

Vajgl tha për Nova Tv se presidenti maqedonas duhet ta rishikojë vendimin e marrë, i cili, siç thotë ai, është në dëm të interesave të Maqedonisë dhe bie gjithashtu në kundërtshtim me pritshmëritë e Parlamentit Evropian dhe institucioneve të bllokuara që kanë shprehur mbështetje për Maqedoninë drejt integrimit euro-atantik.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi reagoi gjithashtu ashpër e përmes një postimi në Facebook e cilësoi lëvizjen e Ivanovit si anti-shqiptare dhe anti-kushtetuese duke qenë se nuk respekton vullnetin e qytetarëve, ligjin dhe Marrëveshjen e Ohrit.

“Shqiptarët në Maqedoni janë popull shtetformues dhe Maqedonia duhet të jetë shtet i të gjithë qytetarëve të saj. Pa të drejta të barabarta të shqiptarëve humb kuptimi i funksionimit të shtetit maqedonas”, deklaroi Thaçi.

Top Channel