Serbia ka akuzuar Kosovën për çdo konflikt që është krijuar së fundmi. Argumenti kryesor është fakti se, Kosova nuk ka themeluar Asociacionin pas kundërshtimeve të shumta.

Zyrtarët serbë thonë se, sesa do të zgjatë efekti i vizitës nga Brukseli varet shumë nga Prishtina.

“Nuk jam optimist se do të ketë shumë ndryshime. Prishtina, me një seri incidentesh duket se më shumë është duke krijuar destabilitet, me qëllimin përfundimtar mosformimin e Asociacionit”, tha Milovan Drecun nga Këshilli për Kosovën në Kuvendin e Serbisë.

Mitrovica, ku ishte ndërtuar muri, ka vazhduar ndërtimin e sheshit mbi urën e Ibrit. Mogherini pritet të vizitojë këtë vend, në mënyrë që të inkurajojë paqen në qytetin e ndarë, duke shpresuar se palët do të ngelen pranë deklaratave për paqe.

Analisti dhe profesori Behlul Beqaj thotë se kërkesat e BE-së do të jenë të qarta, por efekti nuk do të jetë i madh.

“Kjo për faktin se në Kosovë është krijuar një klimë, që është pengesë serioze për formimin e Asociacionit. Ndërsa në Serbi, për faktin se ka dhënë premtime që nuk përkojnë me kompetencat ekzekutive të Asociacionit”, është shprehur analisti Behlul Beqaj.

Përveç Beogradit që fajëson Kosovën për pengim të procesit të normalizimit të marrëdhënieve, edhe serbët e Kosovës kanë bojkotuar institucionet. Mogherini do të provojë që të vazhdojë procesin, pavarësisht tensioneve të krijuara në të shkuarën.

Top Channel