Meta: Keqardhje për retorikën nacionaliste të Ivanov

02/03/2017 00:00

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta ka reaguar këtë të enjte në lidhje me tensionet politike në Maqedoni, pas refuzimit të presidentit Ivanov për të mandatuar Zaev për formimin e qeverisë me aleatët shqiptarë.

“Shpreh shqetësimin për situatën e rënduar politike në Maqedoni dhe inkurajoj të gjitha forcat politike në vendin fqinj për qetësi, përgjegjshmëri dhe konstruktivitet”, ka thënë Meta.

Kreu i Kuvendit ka shprehur keqardhjen e tij për qëndrimin e presidentit Ivanov ndaj platformës së partive shqiptare, duke nënvizuar se retorika të tilla dëmtojnë stabilitetin rajonal.

“Dëshiroj të shpreh gjithashtu keqardhjen për retorikat nacionaliste anti-shqiptare, të cilat cënojnë harmoninë dhe bashkëjetesën ndë-etnike, si garanci për stabilitetin e vendit fqinj”, ka vijuar Meta.

“Shpresoj që gjithë aktorët institucionalë dhe politikë të tregojnë përkushtim për progresin demokratik dhe euro-atlantik të Maqedonisë”, përfundon kreu i Kuvendit.

Për Arta Daden, Presidenti Ivanov nuk duhet ta harrojë se Maqedonia është edhe shteti i shqiptarëve. “Presidenti Ivanov krijoi arsye dhe kushte për ta destabilizuar vendin. Maqedonia është edhe shteti i shqiptarëve, të cilët e kërkojnë këtë shtet të tyre të integruar në Bashkimin Europian, të integruar në NATO. Për fat të keq, këto zhvillime vetëm sa i ndalojnë koto procese integruese”, tha Arta Dade.

Top Channel