Bouffier: Jepni siguri, ju duhet drejtësia

02/03/2017 00:00

Kryeministri i landit Hessen të Gjermanisë, që po viziton Tiranën, deklaroi se ka dëgjuar nga kryeministri dhe udhëheqësi i opozitës qëndrimet e tyre për zhvillimet më të fundit.

Volker Bouffier tha se u ka kërkuar që të punojnë së bashku për të ardhmen europiane të vendit. Ai thotë se Shqipëria duhet të ofrojë siguri për investimet e huaja, për të cilat Kancelarja Merkel ka shprehur interes, ndaj Reforma në Drejtësi është me rëndësi.

Volker Bouffier: Ne e dimë, jemi këtu në një kohë mjaft interesante, po presim zgjedhjet parlamentare. Këtë mëngjes unë kam takuar kreun e opozitës, më pas kam takuar kryeministrin dhe kam dëgjuar të njëjtën histori nga dy anë të ndryshme. Ne jemi të ftuar këtu, ndaj nuk është detyra ime të them se çfarë duhet të bëjnë ata. Por më lejoni të them se, kur doni investime nga jashtë, nga të cilat mund të krijoni vende të reja pune, ju duhet të realizoni një reformë të veçantë për drejtësinë. Ju duhet t’u jepni siguri investitorëve, që ata të kenë më pas përfitime nga investimet e kryera këtu. Gjithsesi, ne jemi të befasuar për çfarë ka ndodhur në vitet e fundit, ndaj të gjithë shpresojmë se opozita dhe qeveria do të merren vesh për të ardhmen e këtij vendi. Për këtë jemi të interesuar, ju e dini që edhe vet Kancelarja Merkel është e interesuar për këtë, të gjithë faktorët janë të interesuar.

TCH: Cili është opinioni juaj për protestën e opozitës?

Volker Bouffier: Në një demokraci ju keni qeverinë dhe opozitën, ju duhen të dyja. Opozita, ndërkohë, po përpiqet të ndryshojë situatën. Ata na thanë neve se e pranojnë nuk e kanë mazhorancën. Kjo është diçka që e vendosin votuesit, por duhet të zhvillohen zgjedhje të ndershme. Unë i thashë kryeministrit, që kam shpresë se të dyja palët do ta gjejnë rrugën, do të punojnë së bashku për procesin e integrimit. Është normale në çdo vend, që ka njerëz që protestojnë në rrugë apo në Parlament. Shqipëria do të ketë një të ardhme të mirë, kur të dyja palët të punojnë së bashku dhe jo të ndeshen.

TCH: E shikoni të mundur të përdoret votimi elektronik në zgjedhjet e qershorit 2017?

Volker Bouffier: Nuk mund ta them këtu, nëse është i mundur apo jo, ju e dini. Islanda është i vetmi vend që përdor votimin elektronik. Ne u përpoqëm ta përdorim, por tashmë nuk përdorim votimin elektronik në zgjedhjet kombëtare, por kjo duhet të vendoset prej jush. Ne jemi këtu për të dëgjuar, për të dhënë ide, por jo për të marrë vendime.

TCH: Ju folët për rëndësinë e Reformës në Drejtësi. Mendoni që procesi i “vetting”-ut duhet të kryhet përpara zgjedhjeve, apo pas tyre kur të kemi një qeveri të re, sepse përbën kusht për të nisur negociatat me BE-në?

Volker Bouffier: Unë do të preferoja që procesi i “vetting”-ut të fillonte një herë.

TCH: Në takimin me zotin Basha, i sugjeruat atij të rikthehet në Parlament?

Volker Bouffier: Ai na e shpjegoi shumë qartë pozicionin e tij dhe të partisë së tij. Unë i thashë atij se shpresoja, që do ta gjejë mënyrën për të punuar së bashku me palën tjetër. Të njëjtën gjë që i kam thënë edhe kryeministrit.

Top Channel