Tahiri: Çdo qytetar njoftohet në banesë për qendrën e votimit

01/03/2017 12:55

Ndonëse është detyrim ligjor prej vitit 2007, për herë të parë  për zgjedhjet e 18 qershorit, qytetarët do të njoftohen në banesë për adresën e qëndrës së votimit. 

Nisma u bë publike nga ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, gjatë një tryeze me drejtuesit e bashkive dhe prefektët për përgatitjet e procesit zgjedhor.

“Nga sot, çdo bashki do të ketë buxhet të përcaktuar të akorduar nga Ministria e Punëve të Brendshme, në mënyrë që me ekipe të caktuara dhe me formatin e caktuar, të trokitet në çdo derë për t’i treguar zgjedhësve qendrën e tyre të votimit”, tha Tahiri.

Shumica e kryebashkiakëve të djathtë munguan personalisht në tryezë, duke mos dërguar as përfaqësuesit e tyre. Bashkia e Tiranës përfaqësohej me nënkryetarin Mazniku, duke bërë të bjerë më shumë në sy mosprania e kryetarit Erion Veliaj. Megjithatë, Tahiri kishte edhe një mesazh për ta.

“Çdo bashki pavarësisht kryetarit të bashkisë dhe bindjes politike ka detyrimin t’i shërbejë qytetarëve njësoj. Ka disa përpjekje, të cilat janë për t’u dënuar nga disa bashki të caktuara, të cilat po përpiqen të keqpërdorin të drejtën ligjore që kanë për të shërbyer qytetarët, duke i keqinformuar qëllimisht për qendrat e votimit. Kjo ka ndodhur në disa raste dhe Policia e Shtetit do të bëjë referimet përkatëse në prokurori”, deklaroi ministri.

Tahiri gjithashtu tha se janë ulur me 7 herë dublimet në listat zgjedhore dhe me 40% numri i votuesve pa adresë.

Top Channel