Gjendet një nga makinat e përdorura në atentatin ndaj çiftit Mujeci në Lezhë, autorët mbeten në arrati Shumë pak metra larg njëra-tjetrës në Bulevard janë ngritur 3 çadra. Në njërën prej tyre, përpara zyrave të Kryeministrisë opozita proteston për zgjedhje të lira e të ndershme dhe largimin e Edi Ramës.
Çadra e ngritur mesditën e 18 shkurtit vijon të qëndrojë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Qëndresa për shkak të shiut tashmë bëhet vetëm brenda çadrës, ndërsa Bulevardi mbetet i bllokuar për lëvizjen e automjeteve, duke e zhvendosur trafikun në qendër të Tiranës.
50 metra larg çadrës së protestës, është ngritur prej ditësh një tjetër çadër, ajo e shoqërisë civile, ku u kërkohet qytetarëve të firmosin një peticion për miratimin sa më parë të komisioneve për zbatimin e ligjit të Vettingut. Këtë të mërkurë çadra ka shërbyer vetëm si strehë për shiun.
Çadrat për qeveri teknike dhe Vetting nuk e kanë eklipsuar të tretën; çadrën prej plastmasi të banorëve të Zharrzës, që kërkesat i kanë pa prapavijë politike.
“Jemi shumë të lumtur. Kjo është fitore e të gjithëve ne”, thotë Avni Qarri, banor i Zharrzës.
Po qytetarët, cilën kauzë kanë mbështetur përgjatë këtyre ditëve, në tre cadrat e ngritura përgjatë Bulevardit? Disa thonë se kanë qenë tek dy çadra, të tjerë tek asnjëra.
Çadrat e ngritura në Bulevard janë të përkohshme, nga Zharrëza e tek ajo e opozitës. Me siguri pas pak kohës e vetmja çadër që do t’i rezistojë kohës është kjo e cirkut të Tiranës, vetëm disa qindra metra më tej, këtej e tutje si shenjë e cirkut politik të Shqipërisë dhe çadrave që ngre gjithmonë përpara fushatave elektorale.
Top Channel