Vettingu, Calavera: Bordi i ONM nuk vendos për kandidatët

28/02/2017 00:00

Udhëheqësja e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit për procesin e Vettingut, Genoveva Ruiz Calavera, përmes një letre të hapur ka ndërhyrë edhe njëherë tjetër në lidhje me kompetencat e ndërkombëtarëve në këtë proces.

Në letër, Calavera sqaron në dy pika misionin dhe detyrat e Bordit Drejtues të ONM-së dhe vetë ONM-së.

“Së pari, më lini të sqaroj se detyra e Bordit Drejtues të ONM-së është krejtësisht koordinues për të lehtësuar punën e përfaqësuesve të Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara nën drejtimin tim”, thotë Calavera.

Së dyti, ajo sqaron se Bordi Drejtues nuk përfshihet në procesin e monitorimit.

“Të gjitha rekomandimet që kanë lidhje me përzgjedhjen e kandidatëve për ngritjen e organeve të Vettingut dhe në të ardhmen për kryerjen e këtij procesi në sistemin e drejtësisë, do të bëhen nga vëzhguesit ndërkombëtarë, ata që janë caktuar, ose që do të caktohen në vijim në këtë rol. Theksoj edhe njëherë se ONM nuk ka fuqi vendimarrjeje. E drejta e marrjes së vendimeve u takon institucioneve shqiptare”, thotë ajo.

Kjo letër e ndërkombëtarëve mbërrin pas qëndrimeve të ministrit të Drejtësisë Petrit Vasili që në dy letra ka ngritur shqetësimin se ONM shkel Kushtetutën.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta