Tahiri takon homologun francez Le Roux

28/02/2017 00:00

Gjatë vizitës zyrtare në Tiranë, ministri i Brendshëm francez, Bruno Le Roux vizitoi edhe Sallën e Komandimit të Drejtorisë së Policisë së kryeqytetit.

“Pata rastin, në shoqërinë e ministrit, të vizitoj gjithë sallën operative ku është instaluar një teknologji shumë e lartë. Natyrisht, Shqipëria ka shumë gjëra për të mësuar nga Franca, por sot pashë që edhe ne ndoshta kemi gjëra për të mësuar nga mënyra se si ju punoni”,

Sipas ministrit francez, bashkëpunimi mes dy vendeve do të forcohet më tej pas marrëveshjeve që do të nënshkruajnë dy kryeministrat më 28 mars, në Paris.  

“Përsa i përket kriminalitetit, do të organizojmë së bashku grupe hetimore, në fusha të luftës kundër krimit të organizuar, ashtu dhe trafikut të drogës. Gjithashtu, ne duam të forcojmë luftën kundër rrjeteve të personave, të cilët në Francë, në Europë apo në Shqipëri shfrytëzojnë territorin, lëvizin nga njëri vend në tjetrin për të vjedhur apo për të hyrë në banesat e qytetarëve”, deklaroi Le Roux.

Ministri Saimir Tahiri përmendi thuajse me emër lirimin e një personi nga gjykatat shqiptare, të kërkuar nga drejtësia franceze, për t’iu rikthyer temës së preferuar të ditës, reformës në drejtësi.

“Prandaj është e domosdoshme që të bëhet reforma në drejtësi, prandaj është e domosdoshme që të bëhet Vetting-u, në mënyrë që prokurorë dhe gjyqtarë të korruptuar të mos jenë më pjesë e diktatit të korrupsionit në sistemin e drejtësisë”, deklaroi Tahiri.

Top Channel