Idrizi: Reforma, pastaj të negociojmë

28/02/2017 17:10

Për Shpëtim Idrizin ka vetëm një mënyrë për tu kaluar kriza politike në vend: reforma në drejtësi.

Në një takim me strukturat e PDIU-së së Tiranës, Idrizi u shpreh i gatshëm të negociojë për zgjidhjen e kësaj krize, por me kushtin e votimit të institucioneve të drejtësisë sipas vetting-ut.

“Rithemelimi i republikës së re mund të vijë vetëm nëpërmjet reformës në drejtësi. Unë propozoj që të nisim përpjekjet për të gjetur mekanizmin e duhur që të dalim nga kjo krizë politike që na ka mbërthyer, me kushtin e vetëm plotësimin ligjor në Kuvend të reformës në drejtësi. Jemi gati të ulemi me këdo, vetëm që të çojmë përpara këtë reformë, thelbësore edhe për mbijetesën e shqiptarisë”, deklaroi Idrizi.

PDIU ka një ofertë për pakt kombëtar. “Unë propozoj një pakt kombëtar të bashkimit dhe ky pakt ka vetëm dy pika: reformën në drejtësi dhe integrimin në Europë. Këtë ta bëjmë me një platformë të qartë, të mirëmenduar dhe të dakordësuar në Parlament nga gjithë politika shqiptare. Jemi shqiptarë në fund fare. Për ne, atdheu është i pari, të tjerat janë të dytat”, tha Idrizi.

Dalja e Idrizit vjen një ditë pasi Top Channel njoftoi se në 2 dhe 3 mars, ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati shkon në Athinë, ku ndër të tjera do të diskutojë edhe çështjen e varreve të ushtarëve grekë në Shqipëri dhe për rezultatet që kanë prodhuar komisionet e përbashkëta mes të dy vendeve për një sërë çështjesh që ndajnë Shqipërinë dhe Greqinë.

Top Channel