Ambasada Amerikane dhe OSBE përshëndesin largimin e Prengës

28/02/2017 15:55

Ambasada e SHBA, me anë të një deklarate për shtyp bëri me dije se mirëpret largimin e ish-deputetit Armando Prenga nga Parlamenti.

“Personat me dosje penale nuk kanë vend në parlamentin, gjykatat, qeverinë, apo bashkitë e një vendi anëtar të NATO-s, i cili gjithashtu synon t’i bashkohet BE-së. Inkurajojmë qytetarët shqiptarë dhe institucionet shqiptare të jenë vigjilentë për parandalimin e kriminelëve nga kandidimi në zgjedhjet e 18 qershorit”, lexohet në deklaratën e Ambasadës Amerikane.

“Shqiptarët meritojnë të kenë një sistem politik dhe gjyqësor të pastër, pa ndikimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit”, përfundon deklarata.

Edhe prezenca e OSBE-së në vendin tonë ka përshëndetur dorëzimin e mandatit të deputetit nga Armando Prenga.

Në një postim në Twitter, teksa ka shpërndarë deklaratën e Ambasadës amerikane, OSBE deklaron se i “bashkohet nxitjes për qytetarët dhe institucionet e Shqipërisë të jenë vigjilentë që të parandalojnë kandidimin e kriminelëve”.

Top Channel