Dy fëmijë të familjes Nezha, nga fshati Skilaj i Lushnjës, janë shtruar në repartin e pediatrisë infektive të spitalit të Lushnjës, të prekur nga Hepatiti A, të cilin e kanë marrë nga uji i pusit në oborrin e shtëpisë.

Hatixhe Spahiu, shefe e Pediatrisë së spitalit të Lushnjës, shprehet: “Janë marrë masat për bllokimin e këtij burimi infeksioni dhe trajtimi i fëmijëve është bërë në spital”.

Prindërit tregojnë se pranë pusit ku merrnin ujë për të pirë dhe gatuar ndodhet kanali i ujrave që dalin nga stalla e bagëtive.

Drejtori i Shëndetit Publik i bën thirrje të gjithë familjeve që kanë hapur puse, që të kenë kujdes me ujin, duke ia bërë analizat pranë shërbimit të higjenës.

“U bëj thirrje të gjithë familjarëve që përdorin pus me shpime individuale, të bëjnë analizat e ujit, edhe nëse nuk e përdorin për ta pirë. Kjo sepse uji është burimi kryesor i hepatiteve”, deklaroi Perin Vogli.

Drejtoria e Shëndetit Publik në Lushnjë ka marrë masat për të shmangur infektime të tjera nga pusi ku dy fëmijët morën hepatitin A në Skilaj.

Top Channel