Bordi i AMF-së kërkon shkarkimin e drejtoreshës Shehi, letër Kuvendit

27/02/2017 00:00

Bordi i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare i ka kërkuar zyratrisht Kuvendit të Shqipërisë shkarkimin e drejtoreshës ekzekutive të AMF-së, Enkelejda Shehi.

Shkresa është bërë publike nga kryetari i komisionit të ekonomisë, Erion Braçe. Në letrën e mbërritur në Kuvend janë argumentuar një seri shkeljesh të pretenduara nga Bordi për drejtoreshën ekzekutive të këtij insitucioni, duke nisur nga sjellja joprofesionale, sipas tyre, e deri tek moszbatimi i rezolutës së Kuvendit.

Komioni i ekonomisë është vënë në lëvizje për të shqyrtuar kërkesën dhe do të zhvillojë seancë dëgjimore me të dyja palët.

“Relator i komisionit lidhur me këtë vendim është zoti Ervin Bushati. Ditën e enjte do të jenë të ftuar drejtoresha ekzekutive, kryetari i bordit dhe nëndrejtori ekzekutiv i AMF-së”, deklaroi Braçe.

AMF është e organizuar në mënyrë të tillë që ka një drejtor të përgjithshëm ekzekutiv me kohë të plotë, me mandat 5-vjeçar, që në këtë rast është Enkeleda Shehi, e emëruar nga Kuvendi në dhjetor 2014 dhe një bord drejtues prej 5 vetësh që nuk ka kompetenca ekzekutive, por vetëm auditutese.

Vetë Shehi është edhe anëtare e bordit, së bashku me nëndrejtorin e AMF-së. Tre anëtarët e tjerë të bordit, ku është dhe kryetari Pajtim Melani, janë me kohë të pjesshme.

Top Channel