Kur kanë mbetur edhe tre ditë që operacioni ndërkombëtar i monitorimit të publikojë listën e vet të zezë me kandidatët për pozicionet e vetting-ut, ministri i Drejtësisë, Petrit Vasili ka paralajmëruar se procesi mund të atakohet në Gjykatën Kushtetuese, për shkak se ONM-ja me Bordin e Menaxhimit po vepron mbi baza antikushtetuese.

“Ky është një qëndrim i pabazuar në Kushtetutë e ligj, pasi institucioneve të papërcaktuara me ligj, nuk mund tu jepen detyra dhe përgjegjësi, përndryshe veprimtaria e tyre do të ishte e atakueshme juridikisht, e diskutueshme dhe në këtë mënyrë do të dëmtonte edhe kredibilitetin publik të reformës në drejtësi”, thotë Vasili.

Ministri Vasili iu rikthye kësaj çështjeje edhe pasi komisioneri Hahn, në letrën e tij, mbrojti ligjshmërinë e ONM-së, duke iu referuar marrëveshjes me qeverinë. Por, siç shkruan Petrit Vasili në letrën për Presidentin, Kryetarin e  Kuvendit, kryeministrin dhe 2 ambasadorët, anëtarë të Bordit të Menaxhimit, Lu e Vlahutin, marrëveshja me qeverinë është antikushtetuese sepse është një nismë e Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave, pa autorizimin e qeverisë. 

“Iniciativat e ndërmarra dhe tagrat e përfaqësimit janë tejkaluar haptazi në shkelje të ligjit. Nga shqyrtimi i këtyre fakteve rezulton se ka shkelje të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë nga ana e Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave”, lexohet në letrën e Vasilit.

Letra e publikuar të dielën mban datën 20 shkurt, një ditë përpara darkës së dy bashkëkryetarëve të koalicionit Rama-Meta, darkë në të cilën ka qenë i pranishëm edhe Sekretari i Përgjithshëm, Engjëll Agaci. Që procesi të futet në shtratin kushtetues, siç shkruan ministri Vasili, duhen ndërmarrë dy hapa juridike: “Është i domosdoshëm një qëndrim shtetëror i shprehur nëpërmjet Këshillit të Ministrave e më pas Kuvendit të Republikës së Shqipërisë për propozimin dhe miratimin e marrëveshjes ndërkombëtare. Në këtë mënyrë vendoset një bazament juridik kushtetues për formalizimin e mënyrës së bashkëpunimit në praktikë të ONM-së me institucionet shqiptare, por edhe me individët e interesuar, si dhe e bën të paatakueshme juridikisht veprimtarinë e tij”.

Ministri Vasili thotë se marrëveshja që duhet miratuar në Parlament, sipas përcaktimeve kushtetuese, duhet të përmbajë edhe përcaktime të qarta për rolin e Bordit të Menaxhimit, çka, në vlerësimin e ministrit të Drejtësisë, do të mbronte integritetin e procesit të vetting-ut. Një proces që i kushton Bashkimit Europian 10 milionë euro.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA