Kryeministri Edi Rama ishte këtë fundjavë në jug, ku inspektoi disa investime, kryesisht në infrastrukturë dhe energjetikë, të realizuara me fonde publike. Kreu i qeverisë tha se këto vepra janë kontribut i qytetarëve dhe që u mundësuan falë reformës në energji dhe disiplinimit të financave publike.  

Në qytetin e Vlorës, kreu i qeverisë pa nga afër punimet për Lungomaren dhe rikonstruksionin e rrugës “Veledin Kollozi”.  “Gjelbërimi në anë të rrugës do të jetë një, nga fillimi në fund. Do të bëjmë një stabilizim të të gjithë hapësirës para pallateve, tenda të unifikuara dhe do të lyhen fasadat”, tha Dritan Leli, kryebashkiaku i Vlorës.

Ndalesa e radhës ishte nënstacioni i Orikumit, një vepër e ndërtuar që në vitin ‘70 dhe e transformuar plotësisht nga një investim 60 milionë lekë i OSHEE-së.

“Të gjitha këto kapërcime epokale në teknologji janë rezultat i reformës në energji. Të gjitha këto janë kontribute të konsumatorëve që përkthehen në investime”, tha Rama.

Në zonën e Himarës, bashkë me kreun e OSHEE-së, kryeministri inspektoi nënstacionin e lëvizshëm energjetik. “Është teknologji e avancuar, për herë të parë në Shqipëri. Do ta vazhdojmë këtë investim në zonat problematike”, tha Ardian Çela, drejtor i OSHEE-së.

Në fund, kreu i qeverisë u ndal në Sarandë, ku inspektoi punimet e një kompleksi muzeal, që lidh “Rrugën e Flamurit” me shëtitoren bregdetare.

“I gjithë ky kompleks futet në një tjetër cilësi dhe i jep më shumë dinamizëm qytetit”, tha Rama.

Top Channel