Kreu i qeverisë Edi Rama foli për atë që paralajmëroi pak ditë më parë ambasadorja e BE, Romana Vlahutin, vonesat dhe pengesat që do i bëhen reformës në drejtësi.
Shkaktarët e vonesave sipas Ramës, janë ata që krijuan një sistem drejtësie si ky dhe që ju intereson ta mbajnë atë në këtë gjendje.
“Në një sistem ku e drejta është një mall ku blihet në Gjykatë siç blen domatet dhe kastravecat në pazar, nuk ka të ardhme. Kjo është baza e shtetit dhe prandaj lufta që po bëhet për të mos lejuar për të mos bërë shtet është kaq e egër, një rezistencë kaq e madhe e atyre që në 25 vjet, ku kanë gjetur shesh kanë bërë përshesh”, tha Rama.
Kryeministri thotë se dëmi më i madh që mund t’i shkaktohet vendit nga vonesat për zbatimin e reformës në drejtësi, nuk është bllokimi i integrimit. Dëmi më i madh është bllokimi i reformave që e afrojnë vendin me Evropën.
“Është e vetmja rrugë edhe për këto lejet për të garantuar që nesër pasnesër, me një vendim gjykate të mos vijë dikush tju bjeri derës së shtëpisë dhe tju thotë se shiko ky legalizim dhe kjo hipoteka që ke marrë ti më takon mua. Këtu nuk është çështja se nuk po bëhet vettingu sot, do bllokohet integrimi. Por integrimi në BE i Shqipërisë nuk është që nga këtu të ikim atje, është që këtu të ndërtojmë shtet si atje”, tha Rama.
Ndërkohë në Vlorë kreu i qeverisë vijoi shpërndarjen e lejeve të legalizimit për banorët. Në këtë bashki janë shpërndarë deri më tani rreth 100 mijë dokumente të tillë.
Top Channel