Denion Meidani kujton Nënë Terezën nga Shkupi: Gonxhe për ne, Nënë Tereza për botën, shenjtore për njerëzimin Ndërkohë që moti po ngrohet, një numër në rritje refugjatësh, që enden përreth kryeqytetit serb Beograd, thonë se do të ndërmarrin rrezikun e kalimit të paligjshëm në Hungari, përmes kufirit të mbyllur serbo-hungarez.
Një rrethim 4 metra i lartë dhe 175 km i gjatë është ngritur në kufi në shtator të vitit 2015, për të ndaluar refugjatët që i ishin drejtuar Europës Perëndimore. Qeveria hungareze lejon aktualisht vetëm një numër të vogël refugjatësh të hyjnë në territorin e saj.
Përpara se të marrin lejen zyrtare, të gjithë refugjatët duhet të qëndrojnë në vende të tjera jashtë Hungarisë. Autoritetet hungareze njoftojnë më pas familjen e kualifikuar, që sidoqoftë duhet të presë gjatë, ndoshta edhe me muaj të tërë, ndërkohë që disa as nuk arrijnë ta marrin njoftimin.
Për azilkërkuesit individualë, sidoqoftë, marrja e lejes është thuajse e pamundur. Aplikantët e kualifikuar i nënshtrohen ekzaminimeve mjekësore në një zyrë të ngritur në kufi, ku duhet të lënë gjithashtu edhe shenjat e gishtave dhe të bëjnë fotografi.
Pas një serie procedurash, ata transferohen në kampe refugjatësh në Hungari. Ata që janë ende të bllokuar përgjatë kufirit në Serbi presin radhën, e ndërkohë mund të shijojnë ndonjëherë ushqime të ngrohta, pasi autoritetet kanë filluar shpërndarjen e tyre çdo pasdite.
“Njerëzit nuk kanë mundësi tjetër, nuk kanë ushqime. Ndaj ne e bëjmë këtë deri në gjetjen e një zgjidhjeje më të mirë”, thotë një vullnetare britanike.
Ata që nuk shohin shpresë për të marrë lejen e autoriteteve, ndërkohë, kërkojnë mundësi të tjera për të hyrë në Hungari. Pavarësisht masave të rrepta të kontrollit, me policë të dislokuar gjatë kufirit çdo 40-50 metra, disa thonë se mund edhe t’ia dalin.
“Koha po ngrohet dhe ne do ta provojmë sërish”, thotë një refugjat afgan. Sipas tyre, hyrja ilegale është e vetmja mundësi, pasi nuk mund të kthehen më në shtëpitë e tyre. “Kufiri do të thotë mos kalo. Por çfarë të bëj unë? E pranoj, ne jemi gabim. Por nëse unë shoh pas, nuk kam zgjidhje tjetër. Më jepni ju një zgjidhje dhe unë do ta pranoj”, thotë një tjetër refugjat.
Top Channel