Bisedimet, në vjeshtë. Fleckenstein: Zbatim konkret i Drejtësisë

20/02/2017 00:00

Përpara vizitës në Shqipëri, Knut Fleckenstein, raportues për vendin tonë në Parlamentin Europian, foli për “Deutsche Welle” duke evidentuar zgjedhet e qershorit, si momentin kyç për çeljen e bisedimeve të anëtarësimit me BE-në.

Eurodeputeti gjerman sqaron se qëllimi i ndalesës së tij në Tiranë është i trefishtë. Së pari kërkon të diskutojë me të gjithë aktorët, si në politikë, ashtu dhe në shoqërinë civile, mbi raportin e përgatitur prej tij e të porsamiratuar nga PE-ja. Synimi i dytë ka të bëjë me Reformën në Drejtësi.

“Qëllimi i dytë është natyrisht zbatimi konkret i Reformës në Drejtësi, kaq e rëndësishme për vendin, me qëllim që në vjeshtë të fillojmë, me shpresë, bisedimet e anëtarësimit. E treta lidhet me pritshmëritë tona lidhur me zgjedhjet, e në këtë kontekst do të kem me vete edhe rekomandimet e ODIHR-it”, tha Knut Fleckenstein.

Fleckenstein do ta shfrytëzojë këtë vizitë për t’u takuar edhe me përfaqësues të opozitës. Protesta e saj ka përçuar jashtë kufijve mesazhin se nuk ka aspak besim te qeveria për zgjedhje të lira. Fleckenstein jep këtë shpjegim.

“Opozita e ka gjithmonë një frikë të tillë para zgjedhjeve. Sesa realiste është kjo, për këtë dua të krijoj një përshtypje gjatë ditëve që do të jem në Shqipëri”, tha Knut Fleckenstein.

Në bashkëbisedimin me gazetaren e “DW” u prek edhe shqetësimi që ngre opozita për blerjen e votave me paratë e drogës dhe të krimit, akuzë mjaft e rëndë kjo.

“Kjo akuzë duhet të provohet fillimisht, e është gjithmonë e vështirë ta bësh këtë para zgjedhjeve. Por të gjithë ata që marrin pjesë në këto zgjedhje duhet ta dinë se, nëse këto zgjedhje nuk zhvillohen me korrektesë, atëherë do të ketë një problem për hapjen e negociatave me BE-në. Prandaj shumë do të varet nga ajo sesa palët në zgjedhje do t’i respektojnë rregullat e lojës, që njihen në Europë për zgjedhje të lira e të ndershme”, tha Knut Fleckenstein.

Argumenti, me të cilin raportuesi në PE e konsideron moment vendimtar vlerësimin e zgjedhjeve, është fare i thjeshtë: nuk mund të fillosh me implementimin e Reformës në Drejtësi dhe të bësh zgjedhje jodemokratike e që nuk respektojnë kriteret ligjore.

“Është e rëndësishme që në lista të mos gjenden kandidatë me të shkuar kriminale e të mos blihen votat”, porosit Fleckenstein, që në mënyrë të përsëritur kujton se po të fillohet me zbatimin e Reformës në Drejtësi, pra të vihet në lëvizje procesi i “vetting”-ut, mundësitë e çeljes së bisedimeve janë të mëdha, sepse gati të gjitha fraksionet në Parlament e kanë pranuar faktin që qeveria shqiptare dhe Parlamenti kanë bërë shumë kohë e fundit për ecjen drejt BE-së.

Top Channel