Zuckerberg: Globalizimi po “tmerron” disa

16/02/2017 00:00

Mark Zuckerberg ka shprehur shqetësimet e thella mbi valën e madhe që po kthehet kundër globalizimit. Në një intervistë me BBC-në, themeluesi i rrjetit social “Facebook” tha se lajmet e rreme, pikëpamjet e polarizuara dhe “flluskat e filtrimit” po shkatërrojnë mirëkuptimin e përbashkët.

Ai ka thënë se njerëzit janë lënë pas dore nga rritja globale, duke nxitur kërkesat për t’u tërhequr nga lidhja e botës. Në thirrjen e tij për veprim, ai shprehet se njerëzit nuk mund të “ulen përreth si të mërzitur”, por të veprojnë për të ndërtuar infrastrukturat sociale.

“Kur themelova Facebook-un, misioni për të lidhur botën nuk ishte aspak kontrovers. Ishte pikërisht si një supozim që kushdo e kishte në mendje. Çdo vit bota u lidh gjithnjë e më shumë dhe u duk se pikërisht në këtë drejtim po shkonin të gjitha gjërat. Tashmë, ky vizion po bëhet gjithnjë e më kontrovers”.

Më tej, ai rrëfen për BBC-në se “ka njerëz anembanë botës që ndihen si të lënë mënjanë nga globalizimi dhe nga ndryshimet e shpejta e drastike që kanë ndodhur, e për këtë arsye po krijohen lëvizje që po kërkojnë pikërisht tërheqjen nga kjo lidhje globale”.

Intervista e Zuckerberg erdhi së bashku me publikimin e një dokumenti prej 5.500 fjalësh, të cilin ai e ka shkruar për të ardhmen e “Facebook”-ut dhe ekonomisë globale. Në këtë letër, Zuckerberg citon Abraham Lincolnin, i cili kishte folur për një veprim në bashkëpunim, ndërsa flet edhe mbi nevojat shpirtërore, angazhimin civil dhe thotë se shumë njerëz kanë “humbur shpresën për të ardhmen”.

“Ndoshta për dy dekada, apo më shumë, njerëzit e kanë shitur idenë sipas së cilës, sa më shumë që të bashkohet bota, aq më e mirë do të bëhej ajo. Mendoj se realiteti është se, në një periudhë afatgjatë, kjo gjë do të rezultojë e vërtetë, sikurse ekzistojnë disa copëza të infrastrukturës që ne mund t’i ndërtojmë për t’u siguruar se komuniteti global funksionon për të gjithë. Por mendoj gjithashtu se, në disa aspekte, ideja e globalizimit nuk ka marrë në konsideratë disa sfida që do t’u krijonte njerëzve, e tashmë mendoj se shumë prej asaj që shohim është pikërisht reagim ndaj kësaj”, thotë më tej Zuckerberg.

Në fund ai i jep përgjigje edhe pyetjes që shumë njerëz mund të bëjnë. A ia vlen për njerëzimin që njerëzit të afrohen gjithnjë e më shumë apo jo?

“Përgjigjja është një dhe e vetme: sigurisht që po”, thotë ai. “Por ne duhet të sigurohemi se komuniteti global funksionon për këdo. Nuk është diçka që ka për të ndodhur automatikisht. Të gjitha organizmat dhe institucionet, çfarëdoqofshin, qeveri, organizata joqeveritare apo kompani, të gjitha duhet të bëjnë pjesën e tyre për ndërtimin e kësaj infrastrukture për të fuqizuar njerëzit, në mënyrë që ajo të krijojë mundësi për këdo, jo vetëm për një pjesë të njerëzimit”.

E nëse ju jeni të mërzitur me mënyrën sesi po shkojnë gjërat, “shpresoj vetëm që ju të mos uleni në një cep të mërzitur, por të ndieni urgjencën për të krijuar infrastrukturën afatgjatë që duhet të ndërtohet”, thotë Zuckerberg.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA