Gjermani, landet janë pro emigrantëve

16/02/2017 11:40

Qeveria e Angela Merkelit premton t’i rikthejë azilkërkuesit e refuzuar në shtëpi, por disa prej landeve gjermane janë rebeluar e nuk po bashkëpunojnë me ekzekutivin.

Një prej tyre, Shlesvig Holshtjan, ka pezulluar përkohësisht të gjitha riatdhesimet drejt Afganistanit. Ministri i Brendshëm Rajonal, Shtefan Shtud tregon se vendimi për të ndaluar deportimet deri në 31 maj është marrë për arsye humanitare. “Në vendin e lindjes, këtyre njerëzve nuk u garantohej as siguria e as dinjiteti”, argumenton ai. Në landin verior gjerman ndodhen aktualisht rreth 700 afganë pa të drejtë qëndrimi.

Rasti i Shlesvig Holshtjanit e disa të tjerëve nxjerr në pah përplasjen e autoriteteve lokale dhe atyre kombëtare sa i takon çështjes nevralgjike të emigrantëve. Merkel mendoi se e kishte gjetur zgjidhjen javën e kaluar, kur arriti një marrëveshje me krerët e landeve lidhur me përshpejtimin e deportimeve.

Por, disa rajone, sidomos ato të drejtuara nga koalicioni i social-demokratëve me të gjelbrit, po i bëjnë rezistencë zotimit parazgjedhor të kancelares për të kthyer mbrapsht sa më shumë njerëz. Rebelimi i Shlesvig Holshtjanit ka shkaktuar nervozizëm në radhët e qeverisë, duke acaruar në mënyrë të veçantë Thomas de Maiziere.

E vërteta është se landet mund të marrin vendime të tilla të përkohshme, kujton ai, por në periudhën afatgjatë do t’iu duhet patjetër drita jeshile e Ministrisë së Brendshme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA