Përmbytje nga reshjet ekstreme në veriperëndim të SHBA, mijëra banorë evakuohen Mediat amerikane raportojnë se Rusia ka dislokuar në terren një raketë të re “Cruise” me rreze të mesme veprimi, akt ky që shkel traktatin, i cili i ka dhënë fund Luftës së Ftohtë.
New York Times dhe CNN citojnë zyrtarë të lartë amerikanë, por pa dhënë shumë detaje. I pyetur në lidhje me këtë zhvillim, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Mark Toner konfirmoi se Rusia është në shkelje.
“Ne i kemi bërë të qarta shqetësimet tona për sa i përket rrezikut që përbën për sigurinë në Evropë dhe Azi”, tha Toner.
Gjatë fazës testuese, administrata e kaluar i ka bërë thirrje disa herë Rusisë që të ndalet, pasi një raport i Departamentit të Shtetit doli në përfundimin se Federata Ruse po shkelte detyrimet e saj që të mos prodhonte dhe testonte raketa “Cruise” me rreze 500 deri në 5 500 km. Më 2014-ën, kur doli ky raport, Moska akuzoi Washingtonin se po ndërmerrte një diplomaci megafonësh.
CNN e quan këtë një akt tjetër që i shtohet serisë së provokimeve ruse në ditët e para të presidencës Trump, pavarësisht se ky i fundit flet për marrëdhënie më të ngrohta me Kremlinin.
Sipas CNN, rusët kanë pozicionuar një anije spiune në brigjet e Delaware dhe kanë kryer fluturime pranë një anije luftarake amerikane, gjë që ka shkaktuar shqetësim te ushtarakët e lartë amerikanë, por zyrtarisht, administrata Trump nuk ka bërë ndonjë lidhje mes tre ngjarjeve.
Sistemi rus i raketave mund të jetë në gjendje të kërcënojë vendet evropiane, anëtare të NATO-s. Një zyrtar i NATO-s ka thënë për CNN-in se traktati eliminon një kategori armësh që kërcënojnë Evropën, ndaj çdo shkelje e Rusisë është arsye për shqetësim.
Top Channel