PD: Shqipëria humb 11 vende prej korrupsionit të qeverisë

15/02/2017 11:35

Partia Demokratike thotë se në raportin e fundit të “Heritage Foundation” Shqipëria ka humbur 11 pikë vetëm për shkak të korrupsionit të qeverisë.

“Opozita prej ditësh disponon raportin e fundit të “Heritage Foundation” që fatkeqësisht e vendos Shqipërinë 11 vende më poshtë sesa viti 2013. Ashtu sic biznesi e di edhe raportet ndërkombëtare shprehen të shqetësuara për regresin që po ndodh me politikat ekonomike në Shqipëri ku shqetësues mbetet borxhi i lartë publik, presioni i lartë fiskal dhe shpenzimet publike jo efikase”, deklaroi Besart Kadia.

“Duam t’ju kujtojmë se në 15 janar të vitit 2014 Ministri i Ekonomisë Ahmetaj krenohej se “Heritage Foundation” i kishte dhënë qeverisë së Rilindjes “të parin vlerësim cilësor në funksion të përmirësimit të klimës së biznesit dhe lirisë së të bërit biznes në Shqipëri”. Sipas tij, në raport “përmendej pozitivisht ambicia e vendit dhe e Qeverisë Rama”. Duke qënë se ky raport i fondacionit prestigjoz ”Heritage” më qendër në Uashington është një tregues që qeveria Rama e ka vlerësuar si të rëndësishëm në atë kohë dhe është një mënyrë e pavarur për të matur performancën e reformave ekonomike në vend, është shqetësuese që pas katër vitesh në pushtet për shkak të politikave ekonomike të gabuara ne kemi humbur 11 vende. Ministri Ahmetaj dhe Kryeministri Rama thonë se reformat e tyre po japin frytet pozitive. Por në realitet ne kemi ecur prapa me 11 vende!!! Reformat ekonomike të paqarta, të pamenduara e të njëanshme ndaj biznesit kanë përkeqësuar lirinë ekonomike në vend. Në muajt e fundit të qeverisjes së Rilindjes Fondacioni Heritage me qendër në Uashington thotë se Kryeministria po i le bizneseve një klimë të përkeqësuar duke e renditur vendin e 65-të nga 54 që ishte në vitin 2014”, shtoi Kadia, i cili nënvizoi se “Heritage Foundation shprehet se “sistemi gjyqësor mbetet jo efikas dhe vulnerabël ndaj ndërhyrjes së politikës”. Por, ajo që theksohet si një përkeqësim i klimës së biznesit është korrupsioni”.

Top Channel