Grabitësit mbeten në burg

15/02/2017 13:35

Ditjon Memlika, ish-efektiv i Forcave të Armatosura dhe Fation Xhyliu, ish-punonjës i policisë private, të akuzuar për grabitjen e vlerave monetare në të paktën dy raste, dolën para gjykatës ditën e mërkurë, ku u njohën me masat e sigurisë.

Fation Xhyliu, i cili besohet se ka dekonspiruar grupin e grabitësve, edhe përpara gjykatës ka mbajtur qëndrim pohues, duke mos kundërshtuar në asnjë moment provat dhe akuzat e prokurorisë. Ndërkohë që kjo e fundit i është referuar më tepër provave dhe fakteve që kanë të bëjnë më së shumti me grabitjen e dhjetorit të vitit 2015, ku Xhyliu ka patur rolin e informatorit, pasi ishte pjesë e policisë private, që kishte marrë përsipër transportin e vlerave monetare.

Por, gjithnjë sipas prokurorisë, të dy të akuzuarit në fjalë janë të dyshuar edhe për grabitjen e para disa ditëve në rrugën e Rinasit. Ndonëse vetë Xhyliu u shpreh i penduar në sallën e gjyqit, duke pranuar grabitje, por ende nuk dihet nëse ai e ka fituar statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë, ndërsa avokati i tij mbrojtës akuzoi prokurorinë se ka shkelur të drejtat e klientit të tij.

Qëndrim pohues ndaj akuzave ka mbajtur edhe ish-efektivi i FA-së, Ditjon Memlika, i cili gjithashtu nuk ka kundërshtuar faktet e paraqitura nga prokuroria. Ndërkohë, dy të arrestuarit e tjerë për grabitjet, Neim Avdulaj dhe Ernest Kupa pritet të dalin përpara gjykatës ditën e enjte.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA