Ndryshime në strukturat e Policisë së Shtetit, emërime të reja në disa drejtori kufitare dhe komisariate
Kanë reaguar nga Zyrihu dy vëllezërit Orik dhe Laert Shyti pas vendimit të Gjykatës së Apelit, që çliroi nga akuzat grupin “Hakmarrja për Drejtësi”. Tonet e tyre kanë qenë të ashpra ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha.
“Ndoshta kanë ndryshuar kohët dhe nuk besojmë se Sali Berisha do t’i shpallë edhe gjyqtarët që dhanë vendimin e sotëm anëtarë të “Hakmarrjes”. Natyrisht që nuk do ta pengojë vendimi i Gjykatës së Lartë, që shprehet se “Hakmarrja për Drejtësi” nuk ka ekzistuar kurrë, por është krijuar bashkë me platformën dhe apartamentin e mbushur me armë nga shërbëtorët e tij, nëpunës të shtetit. Kjo dhe Vettingu janë dy arsye që mund ta pengojnë t’i shpallë gjyqtarët anëtarë të “Hakmarrjes”, apo të kërcënuar e frikësuar nga “terroristët” e saj”, thuhet në reagimin e vëllezërve Shyti.
Por ndërkohë ka reaguar edhe ish-kryeministri Berisha, i cili e vlerëson vendimin e pafajësisë si të shpallur nga Edi Rama.
“Duke dënuar me ashpërsinë më të madhe këtë vepër kriminale të Edvin Kristaq Ramës, u bëj thirrje shqiptarëve të bashkohemi më shumë se kurrë dhe me revolucionin tonë demokratik, që nis më datë 18 shkurt të shpëtojmë veten, fëmijët tanë, shoqërinë dhe Shqipërinë nga sundimi i kryebanditit dhe bandave të tij!”, u shpreh Berisha në Facebook.
Por, tashmë të pafajshëm, vëllezërit Shyti thonë se nuk do t’ia falin Berishës atë që sipas tyre ai u ka bërë.
“Nëse nuk e ka kuptuar, atëherë po ia themi edhe një herë botërisht, se kurrë nuk ia falim krimin e shumëfishtë që ka kryer ndaj nesh dhe kurrë nuk ndalemi për të mbrojtur të vërtetën”, kanë thënë vëllezërit Shyti.
Për pafajësinë e së ashtuquajturës “Hakmarrje për Drejtësi” reagoi edhe kreu aktual i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.
Top Channel