Paniku përfshiu aeroportin e Hamburgut, pasi me dhjetëra njerëz që gjendeshin aty u ankuan për probleme me frymëmarrjen dhe djegie të syve. I menjëhershëm reagimi i autoriteteve, që ndaluan fluturimet dhe evakuuan aeroportin, duke pasur frikë për një akt të mundshëm terrorist, ndërsa Gjermania është në gjendje të lartë alarmi.
Autoritetet lokale në Hamburg thanë se rreth 50 persona shfaqën probleme fizike, pasi një substancë ende e panjohur u përhap përmes sistemit të ajrimit të ndërtesës. Incidenti u verifikua në zonën e aeroportit ku kontrollohen bagazhet dhe pasagjerët, me këta të fundit që fillimisht u ankuan për një erë të rëndë.
Të lënduarit morën ndihmën e parë jashtë ndërtesës së boshatisur të aeroportit dhe sipas policisë, nuk lindi nevoja për të dërguar askënd në spital. Ndërsa hetimet vazhdojnë për të zbuluar se për çfarë lënde bëhet fjalë, nëse vërtetë një lëndë e paidentifikuar ka hyrë në sistemin e ajrimit, duket se situata është zgjidhur shumë shpejt dhe autoritetet kanë rihapur aeroportin dhe fluturimet rinisën.
Top Channel