“Shqipëria pa armë”, Tahiri kërkon ndihmën e klerikëve

06/02/2017 00:00

Nisma “Shqipëria pa armë”, mblodhi në oborrin e Kishës së Dajçit në Shkodër përfaqësuesit e komuniteteve fetare dhe ministrin e Brendshëm, Sajmir Tahiri.

Nga altari i kësaj kishe, famulltari Don Marian Gega ka bërë thirrje për dorëzimin e armëve edhe përpara fushatës së ministrisë.

“Ditën e diel shpalla në kishë këtë nismë dhe të martën dëgjova në radio publicitetin për sensibilizm”, tha Don Marian Gega.

“Arsyeja e thirrjes së klerikëve është se komunitetet fetare kanë rol themelor në çarmatosjen e mendjes dhe të shpirtit. Këtu ndodhi një ngjarje e rëndë. Kemi babain e njërit prej viktimave, të cilin dua ta falenderoj pa masë që është këtu. Më shumë se të çarmatoset komuniteti duhet ta fillojmë duke çarmatosur shpirtin nga dhuna, nga represioni, nga e keqja që shpesh na detyron të jemi përballë njëri-tjetrit dhe disa prej nesh, kuptohet në moment e sipër të përdorin dhe armët”, deklaroi ministri Tahiri.

Kjo mbledhje përkoi edhe me 50-vjetorin e ndalimit të besimit fetar në Shqipërinë komuniste.

 Arqipeshkv i Dioqezës Shkodër-Pult, Imzot Anxhelo Masafra, tha: “50 vjet më parë u mbyllën kisha e xhamia nga regjimi, këto armë janë pasoja e kësaj kohe”.

Ndërsa përfaqësuesi i komunitetit mysliman, deklaroi: “Ta bëjmë Shqipërinë më të sigurt për të ardhmen, ta largojmë këtë të keqe që ka kapluar familjet shqiptare”.

Klerikët iu bashkuan thirrjes së ministrit Tahiri duke u thënë shqiptarëve jo vetëm në Dajç, se të dorëzosh armët është burrëri.

Top Channel