Tahiri: Hendek mes Shqipërisë së llafeve dhe realitetit

03/02/2017 10:40

Përpara se të merrte pjesë në Këshillin e Sigurisë, ministri i Brendshëm Sajmir Tahiri ishte në Durrës. Ai nuk iu përgjigj pyetjeve për arrestimin e zyrtarëve të lartë të policisë në jug të vendit, por gjatë takimit në universitetin “Aleksandër Moisiu ka përdorur sërish tone të ashpra ndaj atyre që, sipas tij, me akuza dhe fyerje, po mbajnë larg të vërtetës qytetarët shqiptarë.

“Një hendek jo i vogël mes Shqipërisë së llafeve dhe asaj në realitet. Shqipëria vishet me akuza e fyerje, duke ndikuar te shqiptarët me qëllim hutimin e tyre për të mos dalluar gënjeshtrën nga e vërteta. Qëllimi, të shuajnë mundësinë që institucionet të zbulojnë të vërtetën. Njerëzit ndjehen të hutuar e nuk dallojnë kush është i mirë e kush i keq. Kjo është Shqipëria e llafeve që nuk ka asnjë të përbashkët me Shqipërinë e punës”, tha Tahiri.

Më tej, duke folur në procesin e krijimit të bazës së të dhënave me adresat e sakta të qytetarëve shqiptarë, ministri Tahiri tha se Shqipëria është i vetmi vend në rajon, ku nuk e dihet saktësisht se sa banorë jetojnë.

“Nuk kemi as një bazë të dhënash ku banojnë shqiptarët. Adresat i gjejmë me instikte ose me rrethana. Detyrimi ynë është që t’i japim qytetarëve raportin që duhet të kenë me institucionet. Kjo është premisa, platforma e vetme që shteti t’u shërbejë qytetarëve të tij. Për shkak të mosnjoftimit në kohë e mungesës së adresës, shumë qytetarë kanë humbur pronat në gjykata apo të drejtën e votës, pasi shteti nuk të njeh që ti je në atë qendër votimi”, shpjegoi Tahiri.
 
Ministri tha se procesi i verifikimit derë më derë të adresave do të nisë menjëherë dhe pas afatit ligjor të vetëdeklarimit, qytetarët do të penalizohen për mosdhënien e adresave të sakta.

Top Channel