Një grabitje me armë ka ndodhur rreth orës 02:00 të ditës së sotme, në një banesë në lagjen “Peristeri” të Athinës. Sipas informacioneve të para, dy grabitës të armatosur kanë hyrë në banesën e një familjeje shqiptare, në rrugën “Olympu” të kësaj lagjeje dhe kanë tentuar t’i grabisin me dhunë.
Në rrethana që ende nuk dihen, situata ka precipituar në përleshje fizike mes kryefamiljarit 53-vjeçar dhe grabitësve, të cilët nuk kanë ngurruar të përdorin armët.
Si pasojë e të shtënave, ka humbur jetën në vend bashkëshortja e tij 50-vjeçare, ndërsa dy grabitësit janë larguar me shpejtësi nga banesa, por me gjithë aktivizimin e forcave të shumta të policisë, nuk u bë i mundur arrestimi i tyre.
Autoritetet kanë gjetur në banesë dy fëmijët e çiftit,18 dhe 28 vjeç, të cilët u thanë agjentëve se grabitësit, me shumë gjasa, ishin shqiptarë.
Ata kërkuan para’ dhe duket se kishin dijeni për situatën e mirë ekonomike të familjes shqiptare.
Burime policore thanë se po hetojnë ngjarjen. Dyshimet e para bien mbi të njohur të familjes, si dhe në rrethin profesional të viktimave.
Ekspertë të mjekësisë ligjore po kryejnë autopsinë në banesë, për të gjetur gjurmë ADN-je të grabitësve, ndërsa dritë mbi shkaqet e ngjarjes pritet të hedhë dëshmia e kryefamiljarit, i cili është dërguar në gjendje kritike për jetën në spitalin “Atikon” të kryeqytetit helen.
Top Channel