Shërbimi i Urgjencës, Beqaj: Një autoambulancë për 40 mijë banorë

02/02/2017 00:00

Ndonëse ka pasur ankesa për vonesa të mbërritjes së ambulancës në ndihmë të qytetarëve, ministri i Shëndetësisë thotë se me sistemin e ri të Urgjencës, do të jetë një autoambulancë për 40 mijë banorë dhe një shërbim më i shpejtë e cilësor, pasi deri më tani ofrohej një autoambulancë për 100 mijë banorë.

“Në qoftë se pranojmë që një autoambulancë me riorganizimin i shërben 40 mijë vetave duhet që një mision të mbarojë për 27 minuta. Në qoftë se një mision mbaron për 27 minuta dhe ajo makina bën vetëm lëvizje gjithë ditën, ne ja dalim që të mbulojmë gjithë këtë nevojë, 400 e ca mijë vetë pa krijuar asnjë lloj vonese apo perceptimi negativ tek qytetarët”, theksoi Beqaj.

Së shpejti, pritet të nisë të funksionojë sistemi i ri i komandës dhe kontrollit të qendrës kombëtare të Urgjencës mjekësore.

“Planet tona janë që në 28 Shkurt ta fillojmë testimin e sistemit edhe për qarkun e Tiranës më 3 Prill, të dalim me këtë sistem të ri komandimi. Dhe pastaj, ta zgjerojmë gradualisht në të gjithë Shqipërinë duke përdor 127-n dhe duke pranuar, sepse ka filluar në Tiranë të pilotohet dhe 112-ta, dhe për një farë kohe do na duhet të vazhdojmë të ekzistojnë të dy sistemet që gradualisht të fillojë edhe kjo pjesë”, u shpreh  Beqaj.

Me sistemin e ri të Urgjencës do të rritet dhe numri i personelit dhe shoferi i autoambulancës duhet të dijë të japë ndihmën e shpejtë. 

Top Channel