Kroacia rriti ndjeshëm shitjen e armëve, kryesisht tek Arabia Saudite, pavarësisht shqetësimeve të organizatave të të drejtave të njeriut se këto armë përfundonin në zona konflikti, siç është Siria.

Shitja e armëve në zona në luftë ndalohet nga konventat europiane dhe ligjet ndërkombëtare, por Zagrebi thotë se tregtia është bërë me Arabinë Saudite.

Vetë kjo e fundit dyshohet se i ka blerë armatimet për t’i shpërndarë më pas tek grupet e armatosura rebele që luftojnë kundër Bashar al-Assad në Siri.

Në total, vetëm në 9 muaj, siç thotë rrjeti ballkanik i gazetarëve investigativë, BIRN, Kroacia ka shitur fishekë, armë, granata-hedhës dhe municione të tjera në një vlerë prej 83 milionë eurosh në total.

Në dokumentet zyrtare jepen pak detaje në lidhje me marrëveshjet e nënshkruara, por thuhet se armatimet e shitura ishin tepricë dhe të panevojshme për forcat e armatosura kroate.

Një tjetër detaj që zbardh BIRN është fakti që tregtia e armëve kroate ka nisur pas vitit 2012. Deri para këtij viti, Kroacia shiste më pak 1 milionë euro armatime në një vit kalendarik, ndërsa pas këtij viti, rritja ka ardhur e konsiderueshme.

Kështu në 2012 ka shitur 5 milionë euro municione e armatime, një vit më pas 30 milionë, 35 milionë në 2014 dhe 2015 dhe 83 mln euro për 2016.

Top Channel