Zv/kryeministri Niko Peleshi dhe ministri i Energjisë e Industrisë, Damian Gjiknuri ishin në Moglicë, ku inspektuan punimet për ndërtimin e hidrocentralit, pjesë e projektit hidroenergjitik të Devollit.
Pas përfundimit dhe vënies në punë të HEC-it të Banjës, HEC Moglica do të jetë i dyti hidrocentral që do të ndërtohet mbi lumin Devoll. Lartësia e Digës së Moglicës do të jetë 150 m dhe është një nga digat më të larta të llojit të saj në botë. Ajo do të lidhet me centralin e prodhimit nëpërmjet një tuneli 11 km të gjatë, kapaciteti i instaluar do të jetë 183 MW dhe prodhimi mesatar 450 GWh.
“Dua të theksoj rëndësinë shumë të madhe që kjo vepër ka për Shqipërinë, për ekonominë shqiptare, për komunitetin dhe sektorin energjitik. Jemi të kënaqur me progresin dhe jemi të prirur jo vetëm për tu kënaqur por edhe për të ndarë të gjitha shqetësimet dhe nevojat që kompania ka për t’i hapur rrugën zbatimit sa më të shpejtë”, u shpreh Peleshi.
Sipas tij, vepra nuk ka vetëm vlerën e shtimit të kapaciteteve energjitike me rreth 17% por ka vlerën e një përmirësimi të jashtëzakonshëm infrastrukturor të një zone me potencial të Shqipërisë. “E ka afruar me kryeqytetin zonën e Gramshit dhe këtu jemi në Moglicë, shumë pranë Bashkisë së Maliqit. Afrohen shumë me njëra tjetrën falë rrugëve të bëra nga ky partneritet publik-privat. Kjo vepër përbën model për sipërmarrjen shqiptare dhe që duhet të ndiqet edhe në vepra të tjera”, nënvizoi Peleshi.
Deri më tani, kompania prestigjoze norvegjeze Statkraft ka investuar rreth 150 millionë euro për ndërtimin e HEC Moglicës çka përbën thuajse gjysmën e investimit. Vetëm në HEC Moglicë janë të punësuar gjithësej 1243 persona nga të cilët 1022 janë shqiptarë dhe 221 të huaj për shkak të eksperiencës së tyre teknike.
“Kompania ka standardet më të larta mjedisore, ka një bashkëpunim me autoritetet vendore. Njëkohësisht, ka qenë edhe një punë shumë e rëndësishme e qeverisë shqiptare që zgjidhi problemet e trashëguara që kishin të bënin me infrastrukturën. Pa zgjidhjen e këtyre problemeve të infrastrukturës kjo vepër nuk do progresonte siç po ndodh. Është një tregues tjetër që investimet e huaja vazhdojnë të progresojnë në Shqipëri, ashtu siç janë edhe investimet tjera në fushën elektroenergjitike. Ligji i ri për energjitë e rinovueshme, me garancitë që ka dhënë aty, do të shtojë akoma më shumë interesin në fushën e investimeve në hidroenergji dhe burimet tjera alternative si energjia diellore dhe ajo e erës”, theksoi ministri Gjiknuri.
Në qytetin e Maliqit është planifikuar ndërtimi i 23 shtëpive zëvendësuese, si pjesë e programit Social që zbatohet nga Statkraft në Kuadrin e Standarteve të IFC-së. Linja e Transmetimit 220kV nga Moglica në nënstacionin Elbasani II është përfunduar dhe është funksionale. Statkraft ka investuar 25 milion euro me fondet e veta në aksin rrugor Kodovjat-Moglicë.
Në tërësi, Projekti i Kaskadës së Devollit është një nga veprat e rëndësishme energjitike për Shqipërinë me një kaskadë prej dy hidrocentralesh, atë të Banjës dhe Moglicës. Në tërësi kjo kaskadë me dy hidrocentralet do të rrisë kapacitetet energjitike të vendit me 17% më shumë dhe do të prodhojë energji të pastër. Kapaciteti i instaluar është 256 MW dhe prodhimi vjetor mesatar do të arrijë në 700 GWh.
Top Channel