Vlahutin në Vlorë, inspekton projektet e financuara nga BE

31/01/2017 00:00

Ambasadorja e BE, Romana Vlahutin inspektoi këtë të martë punimet në tre projekte madhore të financuara nga Bashkimi Europian në Vlorë, me një vlerë prej 47 milionë eurosh.

Vlahutin tha se shpreson që lungomarja dhe by pass-i i Vlorës do të përfundojnë para stinës së verës.

“Disa po ecin mirë, siç është për shembull projekti për kanalizimet. Por shpesojmë që të tjerat, siç është Lungomarja, të përfundojnë para stinës së verës. Gjithashtu kemi projektin tjetër që ka zgjatur shumë, by pass-in e Vlorës, që është shumë i rëndësishëm për të gjithë jugun e Shqipërisë, për turizmin e vendit e jo vetëm për Vlorën. Erdhëm të bisedonim me ata që po punojnë për këto projekte, të mësonim datat reale për përfundimin e tyre, për të parë se çfarë do të duhet të bëjmë së bashku deri në verë, që ky projekt, sidomos ky i Lungomares, të ketë përfunduar”, deklaroi Vlahutin.

Vlahutin dhe delegacioni i BE-së u pritën nga kryetari i Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli në një takim prej 40 minutash me dyer të mbyllura.

Nga ana e tij, Leli u shpreh se, Lungomarja, pavarësisht problemeve që pati do të jetë një imazh i ri për Vlorën.

Top Channel