Vettingu, 6 “viktima”. Spikasin Vladimir Kristo dhe Mirela Fana

31/01/2017 00:00

Pak para se të mbaronte afati i dorëzimit të formularëve të vettingut, pesë anëtarë të sistemit të drejtësisë i kërkuan presidentit dorëheqjen e tyre.

I gjashti ishte dhe emri më surprizë: gjyqtari kushtetues Vladimir Kristo, i cili nuk e dorëzoi formularin e pasurisë në ILDKPI. Zoti Kristo ka paraqitur argument pragun e pensionit, por de fakto ai është vetëpërjashtuar kështu nga procesi i vettingut.

Edhe gjyqtares së lartë Mirela Fana, e mandatuar në vitin 2009 si anëtare e kësaj gjykate, iu miratua dorëheqja nga mandati jo vetëm nga kreu i shtetit, por edhe nga kolegjet e bashkuara.

Me pretendimin se i duhet kohë për t’u thelluar në jetën akademike, gjyqtarja e lartë Fana ka dhënë dorëheqjen edhe nga depozitimi i formularit të pasurisë pranë ILDKPI, ndonëse nuk ka munguar plotësimi prej saj i formularit të karrierës pranë Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

Kristo dhe Fana japin dorëheqjen kështu edhe nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, ku ishin zgjedhur me short pak ditë më parë.

Për kryeministrin Edi Rama, zgjedhja e tyre dhe dorëheqja ishin simbol i së keqes së madhe brenda sistemit të drejtësisë.

“Kjo drejtësi e korruptuar që të kujton atë shprehjen, ‘jep shpirt por nuk heq dorë’, siç u pa dhe nga ai shorti që u hodh aty, ku gjysma e atyre janë për të shkuar në shtëpi sapo të nisi Vettingut, nuk i jep mundësi ekonomisë të marrë frymë lirisht”, tha Rama.

Ndërkohë, për dy organet e reja të qeverisjes së drejtësisë që pritet të ngrihen, pasditen e së martës Avokati i Popullit publikoi listën e personave që aplikuan për në Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë, me16 kandidatë nga radhët e avokatëve për KLGJ dhe 13 për në KLP.

Ndërsa nga radhët e shoqërisë civile kanë shfaqur interesin për këto poste 3 kandidatë për KLGJ dhe 5 për KLP. Pas orës 16 të ditës së martë, kur përfundoi afati i dorëzimit të formularëve të pasurisë, iu dorëzuan vettingut 794 njerëz të drejtësisë.

Përveç Fanës dhe Kristos dhanë dorëheqjen dhe iu shmangën vettingut edhe Ilir Çeliku, i dorëhequr pranë presidentit sikurse Ilir Pashaj, Drita Velija dhe Sulejman Tola.

Top Channel