Manjani në FB, “falenderon” Peleshin dhe Veliajn

31/01/2017 00:00

Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani ka reaguar përmes një statusi në rrjetet sociale ndaj deklaratave të Niko Peleshit dhe Erion Veliajt në përfundim të mbledhjes së Kryesisë së Partisë Socialiste.

“Dua të përshëndes dy shokë të mirë të kësaj mazhorance, Niko Peleshin dhe Erion Velajn. E falenderoj me shumë sinqeritet zëvendëskryeministrin sepse në të dyja qëndrimet e tij (dje dhe sot) për shkarkimin tim ka thënë të vërtetën. Jam shkarkuar sepse fola! Këtë thashë dhe unë dje!”, ka thënë Manjani.

Në vijim të postimit, Manjani shprehet: “Nuk e di a e ka lexuar motivacionin e shkarkimit tim zv/kryeministri, por e vërteta është ajo që themi ne të dy: “u shkarkua sepse foli”. Pra, nuk u shkarkova për marrëdhënie më të mira me Kuvendin, sepse këtë mandat e ka kolegia ime (edhe këto ditë) Ermonela Felaj dhe as për progresin e reformës në drejtësi, mandat të cilin mazhoranca ka kohë që e ushtron në Parlament”. “Faleminderit Niko që edhe ti flet dhe thua të vërtetën!”, ka thënë Manjani, i cili më pas i drejtohet Veliajt.

“Së dyti, mikut tim Erion Veliaj i kam dhënë votën për kapiten të Tiranës dhe kam bërë mirë. Të paktën deri tani Erioni e ka justifikuar besimin! Jam i bindur tashmë se asnjë kandidat tjetër që përflitej asokohe nuk do ishte në lartësinë e Erionit. Këshilla ime për Erionin është ta lërë atë “kapitetin” tjetër në anijen e vet! Është anije krejt tjetër ajo e atij “kapitenit” që shtyn dhe mbledhjen e rradhës të qeverisë se nuk duron dot asnjë kontribut në favor të bashkive! Ka harruar se ka qenë dikur në atë anijen ku je ti sot!”, ka shtuar Manjani.

Top Channel