Mandati i ish-kryeministrit Nikolla Gruevski për të formuar edhe një herë qeverinë ka përfunduar. Pak minuta para përfundimit të afatit ligjor, përgjigja nga Bashkimi Demokratik për Integrim i Ali Ahmetit ka qenë se duhet më shumë kohë për një vendim se cila do të ishte zgjidhja më e mirë: Gruevski apo majtisti Zoran Zaev.
Përgjigja u prit gati 12 orë, pasi ofertat dhe kërkesat ishin të ndryshme dhe vendimet tek shqiptarët u morën pas disa ditësh diskutimesh të gjata.
BDI do të jetë e hapur për çdo diskutim në ditët në vijim. Por, kjo nuk është saktësuar, pasi tani procedurat kanë ndryshuar.
Bujar Osmani, zëdhënës i BDI-së, thotë: “Në mënyrë unanime kemi konstatuar se ende nuk janë shterur argumentet nga ky debat dhe se nuk kemi për momentin argumente të mjaftueshme për t’u përcaktuar për njërin nga 5 opsionet që kemi në tavolinë. Do të vazhdojnë debatet e konsultimet edhe në ditët në vijim”.
Partia e Gruevskit, pas diskutimeve të kryesisë së partisë dhe pritjeve brenda selisë, ka njoftuar me shkrim se kjo parti beson se koalicioni qeveritar do të duhej të zgjidhte krizën dhe jo ta thellonte atë. Zgjedhjet sërish janë zgjidhja më e mirë për VMRO-në.
Nuk është e qartë nëse mandati do t’i kalojë partisë së dytë.
Top Channel