Luan Rama: Segmente të policisë, të përfshira në kultivimin e drogës

30/01/2017 00:00

Në Top Story, Luan Rama përsëriti disa prej qëndrimeve të shprehura shpesh javën e fundit nga Ylli Manjani dhe eksponentë të lartë të Lëvizjes Socialiste për integrim.

Ai foli për rritje në përmasa të mëdha të sipërfaqjeve të mbjella me drogë gjatë 2016-s dhe për këtë nuk fajëson vetëm Ministrinë e Brendshme dhe Policinë e Shtetit.

“Shqipëria në 2016 rezultoi një plantacion me drogë. Ky është një dështim i qeverisjes kundër aktivitetit kriminal të trafikimit dhe kultivimit të drogës. Kjo nuk është një luftë vetëm e policisë. Ka disa aktorë që kanë detyrime ligjore për të përmbushur. Nëse jemi përballë këtij realiteti dhe ne ngrëmë zërin se kjo veprimtari mori këto përmasa për shkak të mosveprimit të duhur edhe të Policisë së Shtetit edhe të organeve të tjera ligjzbatuese”, u shpreh ai.

Megjithatë, Policia e Shtetit u shënjestrua prej tij.

“Nuk mund të kishte këto përmasa kultivimi i drogës pa një prapavijë politike edhe pa mbështetje nga segmente të Policisë së Shtetit. Ka rezultuar se oficerë të policisë janë kapur dhe janë lajmëruar kultivuesit dhe trafikantët se po vjen policia. Duhet të reflektohet dhe të mblidhen institucionet dhe të reagohet që të mos përsëritet më ky fenomen”,  deklaroi Rama.

Top Channel