Kimioterapia dhe në Elbasan, Beqaj: 100 milionë lekë në buxhet për pacientët

30/01/2017 00:00

Pacientët e qarkut të Elbasanit nuk do të duhet të udhëtojnë më drejt Tiranës për të të përfituar shërbim kimioterapie. Kjo pasi nga janari ky shërbim ofrohet edhe në spitalin rajonal të Elbasanit, duke shmangur radhën e pritjes.

Pacientëve të prekur nga sëmundjet tumorale do tu garantohet edhe përgatitja e mjekimit me barna pranë aparaturave të specializuara, jo më në mënyrë manuale, si dikur.

“Në spitalin Rajonal të Elbasanit ne bëmë përgatitjet e infrastrukturës së nevojshme që prej një viti, dhe këtë vit kemi 100 milionë lekë në buxhet të programuar për të siguruar barnat Citostatikë për të filluar mjekimin e mjaft pacientëve apo pacienteve nga Elbasani dhe i gjithë qarku i Elbasanit. Janë përpjekje që bëjmë për të rritur kujdesin shëndetësor në të gjithë vendin, jo vetëm për të lehtësuar barrën financiare të familjeve por edhe për ta ofruar sa më pranë vendbanimit”, tha Ilir Beqaj.

Gjatë vizitës në mjediset ku ofrohet shërbimi i kimioterapisë, në Elbasan ishte i pranishëm edhe deputeti i Partisë Socialiste, Taulant Balla,  i cili përçoi edhe një mesazh ndërgjegjësimi.

“Unë do të kujtoja që duhet sa më shumë kujdes, sa më shumë vëmendje, sepse është një sëmundje e cila nëse kapet në kohë, apo jo, dhe nëse kurohet ashtu siç duhet përmes gjithë protokollit që theksoi edhe Ministri, ne mund të kemi histori suksesi. Po për gjirin, sigurisht është probabiliteti më i lartë dhe të shpresojmë që ti gjendemi pranë çdo nëne që ka nevojë për ne”, tha Taulant Balla, deputet i PS-së.

Top Channel