Takimi i rektorëve, Harito: Kërkesat tuaja do t’i paraqes në qeveri

28/01/2017 00:00

Konferenca e dytë e rektorëve e organizuar në Universitetin Evropian të Tiranës bëri bashkë rektorët e universiteteve private dhe publike në një diskutim mbi problematikat e arsimit të lartë, si dhe për ndikimin e zhvillimeve teknologjike në rrugën e dijes.

“Në këtë sfidë të madhe të shoqërisë në fushën e edukimit, temë e debatit mbetet gjetja e formave novatore të organizimit të shërbimit të edukimit. Përtej problemeve që diskutojmë përditë, që lidhen me financimin e edukimit, qasja politike duhet ta trajtojë problemin si një problem sistemik”, deklaroi Tonin Gjura, rektor i UET.

Të njëjtin qëndrim ndau edhe ministrja për Inovacionin, Milena Harito, sipas të cilës ndryshimet e ndodhura vitet e fundit kanë prekur të gjithë skemën e dijes.

“Nuk jemi më në kohën kur libri, manuali, përmbante dijen. Shqipëria, për arsye të ndryshme historike e sociale ka humbur shumë trena zhvillimi dhe o sot o kurrë është momenti kur duhet të ecim shumë shpejt”, tha Harito.

Sot dijen e marrim kudo, në makinë, tren, pa qenë nevoja për t’u ulur në një vend të caktuar si dikur. Dhe për t’iu përgjigjur nevojave të kohës drejt një punësimi më të sigurt, ministrja e Inovacionit bëri edhe një premtim politik.

“Unë do të dëshiroja që ky lloj forumi të thellohej në këto çështje, pra të impaktit socio-ekonomik të zhvillimeve teknologjike, në mënyrë që ne të kemi mundësi t’i përfshijmë në programet qeverisëse”, shtoi Harito.

Top Channel