Në 100-vjetorin e lindjes së shkrimtares dhe politikanes Musine Kokalarit, ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro ishte në Gjirokastër ku tha se po përmbyllet projekti për rikonstruksionin e shtëpisë së saj të shpallur Monument Kulture.

4 vjet më parë për shkak të amortizimit dhe një shkëndije elektrike, shtëpia u dogj duke u kthye në gërmadhë dhe e pabanueshme.

“Nuk është interesante vetëm historia e persekutimit të saj, është interesante edhe vepra dhe mendimet e saj. kjo është arsyeja pse Musineja duhet të trajtohet si një figurë shumëdimensionale, edhe si intelektuale, edhe si njeri i letrave dhe si njeri i politikës socialdemokrate, që në një farë mënyre ne të gjithë e kemi përqafuar sot. Ne jemi duke përfunduar projektin e restaurimit për të dalë shpejt me lajme të mira për shtëpinë e saj”, tha ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro.

“Do Zoti, në emër të qytetarëve, jo të familjarëve, sepse Musineja nuk i përket thjesht një familjeje. I përket demokracisë në përgjithësi”, thotë Tajar Kokalari, i afërm i Musine Kokalarit.

Musine Kokalari njihet si themeluesja e Partisë Socialdemokrate në vitin 1946,  që i kushtoi një jetë në burg dhe internim derisa vdiq në Rreshen. 

Me kërkesë të familjarëve dosja e saj do të jetë e para që do të hapet nga autoriteti për informimin e dosjeve të sigurimit.

Top Channel