Tensionet në Kosovë, raporti i ambasadorit në Prishtinë: Shkak Serbia

25/01/2017 00:00

“Ngjarje të cilat përbëjnë regrese lidhur me sigurinë dhe stabilitetin në rajon”. Kështu i ka cilësuar kryetarja e Komisionit te Jashtem, Arta Dade, ngjarjet e fundit mes Kosovës dhe Serbisë.

Për këtë arsye, u thirr në një seancë dëgjimore, Ambasadori i Shqipërisë në Prishtinë, Qemal Minxhozi, i cili paraqiti një tablo të situatës.

“Prej 3 muajsh situata në Republikën e Kosovës është e tensionuar lidhur me marrëdhëniet me Beogradin. Janë tre evenimente që nuk duhet të ndodhnin. Opinioni në Kosovë është tepër i shqetësuar për këtë situatë, sepse kjo çon marrëdhëniet në një nivel 0. Një përkeqësim i klimës politike, i marrëdhënieve do cënonin rëndë jo vetëm marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë por do cënonin dukshëm dhe stabilitetin në rajon”, tha Minxhozi.

Me pas mbledhja ka vijuar me dyer të mbyllura, ku deputetët kanë drejtuar pyetje ndaj ambasadorit. Burime për Top Channel thanë, se fokusi kryesor ka qënë tek situata dhe tek roli që duhet të ketë Shqipëria dhe faktori ndërkombëtar në qetësimin dhe ndalimin e përshkallëzimit të tensioneve.

Top Channel