Korrupsioni, me ulje. “TI”: Shqipëria në vendin e 83-të

25/01/2017 00:00

Indeksi i perceptimit të korrupsionit për 2016-n, i publikuar nga “Transparency International”, tregon se në vendet e Ballkanit, fenomeni i korrupsionit është gjerësisht i përhapur.

Por sipas tij, krahasuar me raportin e një viti më parë, vetëm Shqipëria dhe Kosova shënojnë përmirësim në renditjen e përgjithshme, ndërsa të gjitha vendet e tjera kanë pësuar rënie.

Shqipëria vlerësohet me 39 pikë, nga 36 që mbante vitin e kaluar, duke u ngjitur me 5 vende në renditje. Ajo rezulton e 83-ta në listën e 176 shteteve, në një kohë kur përpara një viti figuronte në vendin e 88.

Rënien më të madhe në Ballkanin Perëndimor e ka pasur Maqedonia. Duke iu referuar raporteve të saj të fundit, “Transparency International” vlerëson se dobësitë në institucionet e ligjit, në vendet e Ballkanit Perëndimor, janë pasojë e kapjes së sistemit, ku politikanët ushtrojnë një ndikim mjaft të madh në të gjithë sektorët e jetës publike, e duke qenë të lidhur me njerëz të pasur të botës së biznesit apo edhe me rrjetet e krimit të organizuar.

Ndaj këtij raporti reagoi ministri i Shtetit për Çështjet Vendore, Bledi Çuçi, i cili e përshkroi rezultatin e raportit si reflektim të faktit, që reformat qeveritare po japin rezultat në çrrënjosjen e korrupsionit në vend, duke vazhduar të rrisin për pasojë besimin e qytetarëve shqiptarë ndaj institucioneve shtetërore.

Duke marrë shkas nga raporti i fundit, ministri theksoi se perceptimi i qytetarëve lidhur me korrupsionin në Shqipëri ka rënë ndjeshëm në 3 vitet e qeverisjes aktuale: Shqipëria është ngjitur nga vendi i 122-të, ku ishte në vitin 2013, në vendin e 83-të në vitin 2016, pra është ngjitur 39 vende, duke përfshirë rritjen me 5 vende të raportit të fundit.

Top Channel