Rezoluta për Shqipërinë, PPE dënon shitblerjen e votës

24/01/2017 00:00

Partitë Popullore Europiane të qendrës së djathtë, që kontrollojnë shumicën në Komisionin dhe Parlamentin Europian, e kanë kthyer vëmendjen në Shqipëri te zbatimi i shpejtë i Reformës në Drejtësi, duke i kërkuar qeverisë të ndërtojë një dialog politik me opozitën, dhe te zgjedhjet e lira e të ndershme.

Këto ishin pikat kryesore të rezolutës së Asamblesë politike të Partive Popullore Europiane, që sipas Lulzim Bashës shpreh përkrahjen e plotë të shumicës së vendeve anëtare të Bashkimti Europian për çështjet kryesore, me të cilat përballet vendi.

“Ka bërë thirrje për zgjedhje të lira e të ndershme dhe ka kërkuar për marrjen e masave kundër shitblerjes së votës. Ka bërë thirrje për zbatimin e ligjit të Dekriminalizimit, si dhe luftë totale ndaj problemit të drogës, krimit të organizuar dhe probleme që lidhen me të, me zgjedhjet e lira dhe të ndershme, madje edhe terrorizmin”, deklaroi Lulzim Basha.

Kreu i opozitës këmbënguli te votimi elektronik, edhe pse koha është e pamjaftueshme.

“Çështja e votimit elektronik nuk është çështje kohe, por vullneti. Votimi elektronik do t’i mundojë çdo qytetari të votojë, do të mundësojë që askush të mos votojë për dikë tjetër, pra të mos ketë tjetërsim të votës. Me votimin dhe numërimin elektronik nuk ka futje duarsh në vullnetin e qytetarëve. Ashtu siç votohet, ashtu edhe numërohet”, tha më tej Basha.

Basha thotë se zgjedhjet e lira dhe të ndershme do t’u japin fuqinë e vërtetë qytetarëve. Një shprehje, që kreu i opozitës e ka marrë prej Presidentit Trump.

“Zgjedhjet, jo si një instrument për të sjellë në pushtet një parti apo një tjetër, por për të sjellë në pushtet qytetarin. Kështu u shpreh edhe Presidenti Trump në fjalimin e tij të pasbetimit dhe ky është frymëzimi, me të cilin kthehem në Shqipëri”, u shpreh Lulzim Basha.

Top Channel