LSI, takime me strukturat në Bashkinë Kolonjë

24/01/2017 00:00

Lëvizja Socialiste për Integrim organizoi disa takime me strukturat në Bashkinë e Kolonjës.

Në këto  takime ishin të pranishëm Sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Endrit Braimllari, ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Edmond Panariti, deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim për qarkun e Korçës, Pirro Kapurani, anëtari i Komitetit Drejtues Kombëtar të LSI-së, z. Thanas Poçi, etj.

Sekretari i Përgjithshëm i LSI, Endrit Braimllari, duke falënderuar punën e bërë nga strukturat e partisë në Bashkinë e Kolonjës, ka theksuar se Lëvizja Socialiste për Integrim është një forcë politike e cila bazohet tek meritokracia dhe se sfida e saj është përmirësimi i vetvetes me qëllim që të jetë sa më pranë qytetarëve.

“Dua të falënderoj strukturat e LSI-së së Kolonjës për punën e mirë, që kanë bërë. Ju në Kolonjë e kaluat një provë, atë të zgjedhjeve lokale ku dëshmuat dhe njëherë, që LSI-ja është një forcë politike e konsoliduar, e cila mishëron më së miri koherencën dhe besnikërinë ndaj interesit qytetar. Kolonja kërkon më shumë vëmendje. LSI-ja është e angazhuar maksimalisht në shërbim të Kolonjës dhe gjithë vendit. LSI është forcë politike e strukturuar dhe meritokracia qëndron në bazën e organizatave të saj. Sfida jonë është përmirësimi i vetvetes me qëllim që të jemi sa më pranë qytetarëve. Politika e LSI-së është e qartë, stabilitet politik dhe qëndrueshmëri për vendin”, – tha Braimllari.

Ndërsa ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Edmond Panariti, në fjalën e tij përshëndetëse theksoi se Shqipëria ka nevojë për një forcë politike e cila të jetë motor i zhvillimit ekonomik me platformat e saj.

“Shqipëria, që të zhvillohet më shpejt, të ecë përpara, ka nevojë për një forcë politike që është motori i vendit. Dhe ky motor i zhvillimit të vendit është vetëm Lëvizja Socialiste për Integrim”, – u shpreh ndër të tjera Panariti.

Top Channel