Dhjetëra mijëra njerëz protestuan në rrugët e kryeqytetit rumun Bukuresht dhe në qytete të tjera të vendit kundër planeve të qeverisë për të liruar rreth 3 000 të burgosur.
Në Bukuresht, disa prej protestuesve kaluan kordonet policore dhe shkuan drejt ndërtesave qeveritare. Kryeministri rumun Sorin Grindeanu tha se amnistia do të lehtësojë peshën mbi burgjet e mbipopullura, por kjo nuk u duk si arsye e vlefshme nga publiku për të lënë të lirë kriminelët e dënuar.
Për më tepër, kundërshtarët e tij politikë dhe kritikët thonë se kryeministri po përpiqet të lirojë aleatët e tij që janë dënuar për korrupsion. Kundërshtarët e kësaj lëvizjeje kanë kërkuar që ajo të debatohet në Parlament, pasi kryeministri e mori vendimin përmes masave që shmangin legjislativin, madje nuk kanë nevojë as për firmën e Presidentit Klaus Iohanis.
Mediat vendase raportojnë se mes emrave të atyre që do të liroheshin ishin edhe disa ish-zyrtarë dhe ish-gjykatës të dënuar për korrupsion. Protestat ishin të qeta dhe atyre ju bashkuan edhe politikanë si vetë Presidenti Iohanis, i cili tha se qytetarët kanë të drejtë që janë të indinjuar.
Sipas tij, është e papranueshmë që një kryeministër të ndryshojë ligjin sipas qejfit, në mënyrë që jo vetëm të lirojë zyrtarë të korruptuar, por gjithashtu të zhdukë befas çështjet hetimore për shumë të tjerë.
Top Channel